“Do të kaloj pjesën e mbetur të jetës në burg dhe do të vdes këtu”. Kështu ka shkruar më 22 mars të vitit 2022 Aleksei Navalni, kundërshtari më i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin. “Nuk do të kem kujt t’i them lamtumirë, të gjithë përvjetorët do të festohen pa mua. Nuk do t’i shoh kurrë nipat dhe mbesat e mia”- shkruante Navlany sipas revistës amerikane “The New Yorker”, e cila ka publikuar pjesë të librit në të cilin është përfshirë ditari i disidentit të ndjerë rus në burg, por dhe dorëshkrime të tjera të tij.
Navalny po vuante një dënim prej 19 vitesh në një burg në Arktik, pasi akuzohej për ekstremizëm. Vdekja e tij më 16 shkurt 2024 në moshën 47-vjeçare u dënua ashpër nga Perëndimi dhe shumica fajësuan presidentin rus Putin.
Navalny u arrestua në janar të vitit 2021, pasi kthimit në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas një helmimi me agjent nervor Noviçok në një qytet rus. “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është që t’ia dorëzojmë atdheun një bande plaçkitësish, hajdutësh dhe hipokritësh”, - shkruante ai më 17 janar 2022.
Ditari zbulon vuajtjet e tij në burg, por pavarësisht tyre vërehet se nuk e ka humbur sensin e humorit. Në korrik 2022, Navalny përshkroi si e kalonte ditën në burg me zgjimin në orën 06:00 të mëngjesit. “Në punë, ulesh për shtatë orë në makinë qepëse në një stol nën lartësinë e gjurit dhe pas punës vazhdoni të qëndroni ulur për disa orë në një stol druri nën portretin e Putinit dhe ky quhet "aktivitet disiplinor". –shkruante disidenti rus.
Në dorëshkrimin e tij të fundit më 17 janar 2024, Navalny i përgjigjet pyetjes që i kishin bërë shumë persona në burg se pse u rikthye në Rusi. “Unë nuk dua të heq dorë nga vendi im ose ta tradhtoj atë. Nëse bindjet tuaja nënkuptojnë diçka, ju duhet të jeni të përgatitur të ngriheni për to dhe të bëni sakrifica nëse është e nevojshme," – thoshte Navalny.
Duke spekuluar mbi pasojat e përpjekjeve për ta vrarë, Navalny thoshte se kujtimet e tij do të jenë përkujtimi i tij. “Nëse më godasin, familja ime do të marrë paradhënien dhe honoraret që, shpresoj, do të ketë”, - shkruante ai me shaka. “Është e pamundur të lexosh ditarin e burgut të Navalny-t pa u indinjuar nga tragjedia e vuajtjeve dhe nga vdekja e tij” – thonë redaktori i The New Yorker David Remnick.
Libri, i titulluar “Patriot” do të publikohet më 22 tetor nga shtëpia botuese amerikane Knopf, e cila planifikon ta botojë atë edhe në gjuhën ruse.
Gazetare: Vjollça Zharri
/rtsh.al/