RTSH 24 Live

Rajon

Natasha Pirc Musar në "3D": Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit

24/05/2024

Natasha Pirc Musar në "3D": Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit

Intervista e presidentes së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, për emisionin "3D" nga Alban Dudushi.

Alban Dudushi: Për mua është kënaqësi ta kem në studio, në një bisedë në lidhje me hapësirat për një bashkëpunim më të ngushtë midis Sllovenisë dhe Shqipërisë, situatën në Ballkan si dhe çështjet që kanë mbetur ende të pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë.

Zonja presidente mirë se erdhët.

Kam lexuar që në një nga “jetët tuaja të mëparshme”, edhe ju keni punuar si gazetare, keni qenë komisionere nga vitet 2004-2014, për të drejtën e informimit publik në vendin tuaj. Ndërkohë që tani jeni presidentja e parë grua në Slloveni, e zgjedhur në një votim të drejtë për drejtë dhe si një kandidaturë e pavarur, përtej partive politike.

Vini për herë të parë në Shqipëri? Nëse mundet një përshtypje e parë nga kjo vizitë.

Natasha Pirc Musar: Nuk është hera e parë në Shqipëri. Shumë vjet më parë kam ardhur si turiste dhe vitin e kaluar mora pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit këtu. Mund të them që kam vënë re një progres të madh dhe jam surprizuar se si Shqipëria është zhvilluar kaq shumë që nga vizita ime. Ju më njihni dhe nëse shikoni CV-në time, por dhe nëse më keni ndjekur si presidente e Republikës së Sllovenisë, jam mbështetëse e Bashkimit Europian, jam një europiane dhe vërtet besoj se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE, prandaj ndihem mirë që jam këtu për të diskutuar me parlamentarët, me mikun tim Edi Rama.

Sllovenia dhe Shqipëria janë dy vende me afërsi gjeografike, por që gjithsesi nuk më duken aq të afërta për sa i përket bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Apo përshtypja ime është e gabuar? Cilat mendoni se janë hapësirat e përmirësimit dhe afrimit më të madh mes dy vendeve tona?

Ka një arsye pse ne nuk kemi të njëjtin bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera si ato të ish-Jugosllavisë, ku Sllovenia ishte pjesë e saj, por Shqipëria jo, është historia e shpërbërjes. Besoj në faktin se marrëdhëniet tona ekonomike janë në nivele modeste, por ka hapësira të shumta për të pasur progres në marrëdhëniet bilaterale, shkëmbimet bilaterale, tregtare janë në vlera të ulëta: 100 milionë euro është një shifër me të vërtetë e ulët, nëse e krahasoj me Serbinë. Me të ne kemi shkëmbime 2.2 miliardë euro dhe unë shikoj mundësi për rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë, Inteligjencës Artificiale (IA), fushë ku aktualisht Sllovenia po punon shumë dhe kemi ekspertët më të mirë të IA. Në Slloveni kemi numrin më të madh të ekspertëve në Inteligjencë Artificiale në raport me numrin e banorëve. Në çdo 7.000 banorë kemi një ekspert të IA, pra kemi shumë ekspertë për t’i ofruar Shqipërisë. Po ashtu edhe Shqipëria ka shumë për të na ofruar dhe sa herë që flasim për bashkëpunim ekonomik ka gjithmonë një përpjekje të përbashkët për ta arritur.

Natyrisht Sllovenia është anëtare e BE, ka një ekonomi më të zhvilluar. Ju përmendët disa nga elementet ku Sllovenia mund të ishte atraktive për Shqipërinë, por në këto kohet e fundit e kemi vënë theksin shumë tek turizmi. Shqipëria për Slloveninë është atraktive vetëm për turizmin apo ka dhe elemente të tjera?

Kur po vija në Shqipëri me avion ishte një ditë e bukur me diell dhe pashë një panoramë shumë të bukur, plazhet e bukura, një vend me gjelbërim, të cilën e kemi dhe ne në Slloveni.

Sllovenia po zhvillon një turizëm elitar dhe vendi im ka një gjelbërim në 62% të territorit të vet. Do t'ju them dhe një shifër tjetër: vitin e kaluar 22 mijë sllovenë vizituan vendin tuaj, pra ka mundësi. E di se vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 8 milionë turistë dhe shifrat po rriten ndjeshëm dhe vlerësimet për këtë vit janë që mund të keni 14 milionë, 16 milionë, kështu që kapeni shansin. Do t'ju thosha diçka: fokusohuni në zhvillimin e qëndrueshëm, në turizmin e gjelbër... kjo është e ardhmja e Shqipërisë.

Një nga pikat e rëndësishme të vizitës në vendin tonë është edhe rigjallërimi i vazhdimësia e procesit Bërdo-Brijuni, siç edhe njihet. Pse është i rëndësishëm rigjallërimi, riaktivizimi i këtij procesi?

Më lejoni ta shpjegoj shkurt ndryshimin. Bërdo-Brijuni është mbledhja e presidentëve të Ballkanit Perëndimor, Sllovenisë dhe Kroacisë, ndërsa Procesi i Berlinit është fuqi ekzekutive, me projekte mbi infrastrukturën, presidentët e rajonit dhe në shumë vende europiane nuk kanë fuqi ekzekutive, por kanë forcën e fjalës dhe besoj në faktin se presidentët në rajon mund të bëjnë shumë për të qetësuar situatën në disa vende të Ballkanit Perëndimor, ku në disa raste dialogu nuk ka qenë i sjellshëm.

Herën e fundit kam marrë pjesë në Procesin e Bërdo-Brijunit dhe u ndjeva mirë që pas dy vjetësh, kur asnjë deklaratë nuk ishte hartuar dhe ka pasur diskutime të ashpra, vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut të gjithë presidentët erdhën. Kemi pasur diskutime interesante, edhe presidentët Vuçiq dhe Vjosa Osmani, të cilët nuk kanë pasur marrëdhënie te mira, por kjo është një vlerë e shtuar dhe unë vendosa me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, të dalim jashtë këtyre problemeve që Ballkani Perëndimor po ndesh çdo ditë. Diskutuam këto probleme dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Në fakt, Bërdo-Brijuni nisi si iniciativë presidentësh, por më pas pati disa takime në bazë ekzekutive të kryeministrave të asaj periudhe. Tashmë ju mendoni se kjo është vetëm një tavolinë komunikimi e presidentëve të rajonit, përfshi Slloveninë dhe Kroacinë?

Në fakt, Procesi i Bërdo-Brijunit u iniciua nga presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, jo nga kryeministrat, pra u ngrit në nivel presidencial. Po, ata mblidhen, po ishte fillimi kur Borut Pahor ishte kryeministër, por kur u bë president kaloi në nivel presidencial.

Por pastaj pati dhe takime në rang kryeministrash pas iniciativës së presidentëve. Ju mendoni se ishte vetëm një tavolinë e presidentëve të rajonit, përfshi Slloveninë dhe Kroacinë?

Po, ata mblidhen në këtë nivel. Procesi i Bërdo-Brijunit zhvillon mbledhje me pjesëmarrje ministrash të Brendshëm, të Jashtëm, çfarë është mirë për rajonin. Mendoj se Sllovenia dhe Kroacia e kuptojnë rajonin. Ne jemi në BE, ne mund të ofrojmë njohuri, të ndihmojmë në procesin e integrimit dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë integrimin në BE dhe unë shpresoj tek premtimi i dhënë nga Sharl Mishel (o. Charles Michel) vitin e kaluar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE, por jo vetëm kaq. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të përgatitura, por edhe vetë anëtarët e Bashkimit Europian duhet të jenë të përgatitur. Pra është detyra jonë, obligimi ynë që t'ju kemi pjesë të familjes sonë në të ardhmen. Duhet nga të dyja palët. Sllovenia festoi 20-vjetorin e hyrjes në BE më 1 Maj. Ku hymë në BE, PBB-ja për frymë ishte 17.000 euro, sot është 33.000 euro. Kështu që Bashkimi Europian do të thotë shumë për ekonominë, për të rinjtë, projektet e Erasmus+, ku çdo student në Bashkimin Europian mund t'i bashkohet, të studiojnë në vende të tjera, të mësojnë gjuhë të tjera. Ky është Bashkimi Europian.

Tashmë bëhen 20 vjet që Sllovenia hyri në Bashkimin Europian dhe Sllovenia është vendi i parë i vendeve të ish-Jugosllavisë që u anëtarësua. Ndërkohë vendet e tjera të rajonit me përjashtim të Kroacisë, e cila ju pasoi disa vite më vonë në anëtarësimin e saj në BE, vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, por jo vetëm edhe vende të tjera të rajonit sot janë duke u përpjekur dhe janë në një rrugë të mundimshme të vazhdueshme për të qenë anëtare të BE... dhe kjo 34 vite pas rënies së komunizmit. Sipas mendimit tuaj, pse ky proces u desh të merrte kaq shumë kohë për ne të tjerët dhe cila do të ishte këshilla juaj për vendet tona, por veçanërisht për Shqipërinë?

Është e vërtetë. Ke të drejtë. Po merr kohë të gjatë, por të dyja palët duhet të shihen në pasqyrë, jo vetëm vendet e BE, por edhe të Ballkanit Perëndimor. Përpjekja më e madhe duhet të bëhet nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duhet të jeni të vetëdijshëm për këtë. Kur Sllovenia hyri në BE ne duhet të plotësonim "acquis communautaire", të transferonim 80 mijë faqe. Dhe ju më pyesni cila është arsyeja pse procesi po ecën kaq ngadalë. Unë shikoj vetëm një arsye: nuk ka vullnet politik të mjaftueshëm. Ndoshta politikat dhe politikanët mund të jenë një nga arsyet, ndoshta njerëzit nuk janë aq të interesuar për integrimin për shkak të tejzgjatjes. Është e vështirë për të negociuar, por nuk është e pamundur. Gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë më shumë dhe problem më i madh në rajon është lufta kundër korrupsionit. Asnjë vend në botë nuk është imun ndaj korrupsionit, as vendi im, por nëse në vendet e Ballkanit Perëndimor adoptohet një legjislacion për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta ju do të bëni një hap të madh përpara. Ky është problem në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, është pra çështje e vullnetit politik dhe kam dëgjuar se në Shqipëri ju keni një trup gjykues të fortë, që po lufton korrupsionin. Njerëzit besojnë tek ky trup gjykues dhe ky është vërtet një hap përpara.

Është e vërtetë. Prej vitesh tashmë ka një përshkallëzim të luftës ndaj korrupsionit. Në Shqipëri kryefjala është bërë një Prokurori e Posaçme, atë që ne quajmë SPAK dhe ka një përqindje shumë të lartë të besimit të popullsisë, të shoqërisë shqiptare ndaj këtij mekanizmi në luftën ndaj korrupsionit. Nga ana tjetër janë reformat, të cilat janë ndërmarrë në këtë kohë, por mbi të gjitha Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka filluar të shikohet në këtë rajon si vendi më i qartë dhe më stabil për sa i përket orientimit, aleancave me SHBA dhe BE. Pra, shikohet si një partner i besueshëm. Në këtë qasje, duke pasur parasysh këto reforma, këtë vullnet në luftën ndaj korrupsionit, këtë pozicionim që i jep Shqipërisë një prestigj në marrëdhënie me partnerët tanë, e shikoni Shqipërinë më të avantazhuar në drejtimin e integrimit sesa Serbia, Mali i Zi me problemet e fundit apo Maqedonia e Veriut me rikthimin e VMRO-DPMNE dhe shqetësimet e menjëhershme që krijoi me raportet me Greqinë?

Duhet të jeni të vetëdijshëm për faktin se Mali i Zi i ka hapur pothuajse të gjithë kapitujt e negocimit dhe Shqipëria është gati për të hapur kapitujt e fundit. Mendoj që Shqipëria duhet të jetë shembull për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Sllovenia është shumë mbështetëse për këtë. Kur isha në Mal të Zi në një vizitë zyrtare, kryeministri i Malit të Zi më informoi se çfarë bëri për të luftuar korrupsionin dhe më tha se hartuan një ligj sipas të cilit asnjëri nuk mund të blinte asnjë produkt që kushtonte 1.000 euro në para dore, pra, çdo gjë kryhej nëpërmjet transfertës bankare. Pra, një mënyrë për të luftuar korrupsionin... kështu shkohet në drejtimin e duhur. Mendoj vërtet se Shqipëria është gati të luftojë korrupsionin. Ndoshta problem është se ju jeni me Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë kushtetutën sipas kërkesës së Bullgarisë dhe kjo sikur e ka ngadalësuar procesin për vendin tuaj dhe nuk është e drejtë. Ju duhet ta shtyni procesin me përpara dhe shpresoj që procesi do të jetë më i shpejtë për Shqipërinë.

Konflikti në Ukrainë ngriti shumë shqetësime në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në këtë rajon. Shqetësime që ende janë të mëdha. Nga ana tjetër, nga ana e Ballkanit kjo u pa si një mundësi për të përshpejtuar an_ë_tarësimin si një element kyç i sigurisë së Europës pas një periudhe të gjatë skepticizmi në lidhje me zgjerimin. E shikoni si realist këtë këndvështrim? A është konteksti i luftës vërtet një mundësi për Ballkanin?

Është mirë kur ka konkurrim. Ballkani Perëndimor ka qenë një "bukuroshe e fjetur" për një kohë të gjatë. Modavia dhe Ukraina morën dritën jeshile për të filluar negociatat. Ndoshta disa vende të Ballkanit Perëndimor thonë "Moldavia dhe Ukraina po e përshpejtojnë procesin, po kështu duhet te behet dhe me ne". Moldavia dhe Ukraina duhet të plotësojnë gjithë kushtet. Nuk ka rrugë të shkurtra as për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Po ju them diçka: kur po hynim në Bashkimin Europian na duhej të transferonim, siç ju thashë, 80 mijë faqe të "acquis communautaire". Sot, vendet që po negociojnë për të hyrë në BE duhet të transferojnë 95 mijë faqe të "acquis communautaire", prandaj duhet përshpejtuar procesi, se çdo vit po vështirësohet dhe unë shpresoj që premtimi i Sharl Mishelit do të realizohet. Do të desha ta shikoja Shqipërinë në BE në 2030-ën.

Patjetër është vështirësuar kjo pjesë. Zoti Rama së fundmi hodhi idenë e përdorimit të IA-së për të përshtatur sa më shpejt këtë trup ligjor me BE-në. Përpos kësaj duket se entuziazmi herë ngrihet, herë ulet për sa i përket zgjerimit. Nëse acarohet situata në Ukrainë, atëherë kthehet edhe një herë vëmendja nga Ballkani, por ndonjëherë burokracitë lihen jashtë loje kur ka vullnet të shtuar. Në 2004 pati një vullnet politik që ju u anëtarësuat, përndryshe dhe ju do të kalonit një kalvar të gjatë për t'u bërë pjesë e BE po të ekzistonte skepticizmi?

Procesi i integrimit evropian është thelbi i një procesi ligjor, por në vetvete është një proces politik dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë fakt. Kjo është arsyeja pse 27 vendet e Bashkimit Europian duhet të jenë të përgatitura për zgjerimin. Kemi pasur diskutime për Traktatin e Bashkimit Europian, marrëveshjet me vendet para se të integrohen. Sipas mendimit tim nuk ka nevojë të ndryshojmë traktatin e Bashkimit Europian, por thjesht të përcaktojmë sa duhet të jetë numri i parlamentarëve, të përcaktojmë sa komisione duhet të kemi, pra kjo është e bëshme dhe e mundur pa ndryshuar Traktatin e Bashkimit Europian. Ndonjëherë ndeshim pengesa politike dhe procesi ngadalësohet, prandaj përmenda që në fillim arsyen pse në vendet e Bashkimit Europian duhet t'i kthejmë sytë nga vetja, të reflektojmë mbi politikat dhe vendimet tona dhe tregojmë vullnetin tonë politik në realizimin e këtij procesi.

Sot Kosova është një shtet i pavarur dhe i lirë, por të gjitha problemet me Serbinë janë po aty. Cili është këndvështrimi juaj në lidhje me këtë marrëdhënie të vështirë dhe si mundet këto dy vende të normalizojnë marrëdhëniet e tyre?

Si njeri i ligjit dhe avokate për të drejtat e njeriut, dhe si një politikane, që nuk aderon në asnjë parti politike, unë besoj fort se vetëm nëpërmjet dialogut mund të zgjidhen problemet. Kur them dialog nënkuptoj kulturën e dialogut. Nuk është asnjëherë vonë të ulesh në të njëjtën tavolinë, si të zgjidhesh këtë "puzzle", problemet midis Beogradit dhe Prishtinës. Politikanët e të dyja palëve duhet të bëjnë një hap pas, të shikojnë nga perspektiva e njerëzve të zakonshëm jo e politikës. Unë i kam thënë koleges sime Vjosa Osmani se si avokate nuk e vlerësoj faktin se marrëveshja për asociacionin nuk është respektuar, marrëveshja u nënshkrua shumë vite më parë dhe ky mosrespektim ka shkaktuar provokim në pjesën veriore të Kosovës nga serbët. Kjo nuk e ndihmon situatën. Kam lexuar një artikull ku nënvizohej se procesi i negociatave drejtohet gjithmonë nga burrat, në një kohë që ka gra të ingranuara në këto negociata dhe marrje vendimesh. Pra, sugjerimi im do të ishte më shumë gra në grupet e negociatave.

Vetëm ajo është. Ajo dhe Vjosa Osmani, por Ana Bërnabiq nuk bën asgjë pa presidentin Vuçiq dhe kolegia ime Vjosa Osmani duhet të konsultohet me kryeministrin Kurti.

Ndërkohë ka një frustrim në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare për shkak të asociacionit, që ju e përmendët, dhe se BE po tregohet më përkedhelës me z. Vuçiq, i cili duket se një këmbë e ka nga Moska dhe një nga Brukseli sesa me një vend si Kosova, që është qartësisht i orientuar drejt strukturave euroatlantike. Duket sikur Kosova po merr goditjet e pamerituara në këtë histori, vetëm e vetëm, sepse perëndimit i duhet të përkedhelë Serbinë.

Nuk mund të them se mund të jetë kjo arsyeja. Ka vetëm një vend në botë, i pastër etnikisht, që është Somalia. Pavarësisht formës demokratike, por të gjitha vendet në botë nuk janë etnikisht të pastra dhe është shumë e rëndësishme të respektosh të drejtat e minoriteteve. Dhe ka një rregull bazë në çdo vend të botës: të drejtat e minoriteteve duhet të respektohen në vendet ku këta minoritarë jetojnë jo nga vendi i origjinës së tyre. Ky shënon fillimin. Ne mund të diskutojmë dhe mosmarrëveshjet në Rusi. Fokusi duhet të jenë minoritetet. Minoritetet në pjesën Lindore të Ukrainës nuk janë respektuar, ju hoq gjuha, bashkitë. Nuk mund ta justifikoj z. Putin. Ai është shkelës i Kartës për të Drejtat e Njeriut, agresor, por si një avokate e të drejtave të njeriut më duhet të theksoj se minoritetet duhet të kenë të drejta, të cilat duhet të respektohen nga vendet ku ato jetojnë dhe jo vetëm nga vendet e tyre të origjinës. Nëse gjithë politikanët mendojnë në këtë mënyrë nuk do të themi që rusët duhet të rrinë atje ku janë, shqiptarët po ashtu në vendin e tyre, serbët, sllovenët në vendet e tyre. Pra, nuk është kjo mënyra e duhur për të adresuar problemet politike.

Ishte kënaqësi të bisedoja me ju zotëri!

/rtsh.al/