RTSH 24 Live

Aktualitet

Nano inspekton masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe

06/08/2022

Nano inspekton masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka inspektuar masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe. I shoqëruar nga Drejtori i DVP Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati, Nano zhvilloi një takim me efektivët e Stacionit të Policisë Shëngjin dhe më pas me efektivët e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët mbulojnë zonën bregdetare në qarkun Lezhë.

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave, si dhe nga efektivët, angazhim dhe përkushtim, për zbatimin me rigorozitet të detyrave dhe masave shtesë të caktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cënojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve në plazhe e zona turistike.

Nano: “Punoni me përkushtim dhe përgjegjësi, pasi detyra që kryeni është sa e vështirë, aq edhe fisnike.

Me punën, angazhimin dhe ndershmërinë tuaj keni në dorë jetën e sigurinë e qytetarëve, imazhin e Policisë së Shtetit, si dhe të vendit në tëresi. Ky është privilegj, po aq edhe përgjegjësi, ndaj mos neglizhoni askënd, cilido qoftë, zbatoni ligjin e vetëm ligjin dhe shërbejuni qytetarëve me përkushtim e humanizëm.”

Më pas, Drejtor Nano, bashkë me drejtuesit e policisë vendore dhe kufitare, ka inspektuar nga afër masat shtesë. Gjatë vrojtimit me dylbi dhe kamera nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues në zonat ku ka pushues.

/rtsh.al/