Moti i keq me rrebeshe shiu ka përfshirë këtë të premte jo vetëm Shqipërinë, por edhe Bosnje Hercegovinën, ku situata duket të jetë shumë më e rëndë.
E teksa në Vlorë, rreshjet kanë shkaktuar vërshimin e ujit në zonat urbane, shumë më kritike paraqitet situata në Bosnje Hercegovinë, ku fatkeqësisht janë shënuar edhe viktima.
Kështu, mediat raportojnë se të paktën 19 njerëz kanë vdekur në Bosnje e Hercegovinë dhe shumë të tjerë janë lënduar, pas reshjeve të shiut.
Deri më tani, trupat e 16 viktimave janë gjetur në zonën e Jabllanicës dhe Konjicës në Hercegovinë, ndërsa shërbimet e shpëtimit janë në kërkim të personave të zhdukur.
Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) shpalli "gjendje të fatkeqësisë natyrore" në këtë entitet pas reshjeve të shumta që shkaktuan rrëshqitje dhe lëvizje të tokës në Hercegovinë dhe Bosnjën qendrore.
Në Shqipëri, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu informoi se në Vlorë, situata u rëndua si pasojë e prurjeve të mëdha, ndërsa problematika janë regjistruar në stacionet e pompimit.
Në këto kushte, Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, pas thirrjes për mbështetje nga pushteti vendor, dhanë mbështetjen me 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake.
Gjithashtu, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit pranë Bashkisë Vlorë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon dhe organizon strukturat operacionale ne nivel vendor dhe qendror, ku nga Forcat e Armatosura janë nisur edhe 6 forca e 2 mjete nga Reparti i Këmbësorisë së Jugut.
/rtsh.al/