RTSH 24 Live

Rajon

Mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, BE: Veproni me përgjegjësi! Jepuni fund retorikës nxitëse

14/08/2022

Mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, BE: Veproni me përgjegjësi! Jepuni fund retorikës nxitëse

Bashkimi Evropian ka ftuar liderët politikë në Kosovë dhe Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse mes njera tjetrës dhe të veprojnë me përgjegjësi.

Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimorë paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të cojë deri tek ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet në këtë deklaratë  dërguar nga zëdhënësi, Peter Stano.

Bashkimi Evropian rikujton se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve kërkon një klimë e cila do t’i kontribuonte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira, “ku marrëveshjet e së kaluarës respektohen dhe implementohen në tërësi, dhe ku veprimet e deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe qëllimet strategjike të rajonit nuk kanë vend”- thuhet në njoftim.

Më 17 gusht, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë pas, më 18 gusht do të zhvillohet takimi i dy liderëve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

/rtsh/