RTSH 24 Live

Botë

Mosadi: Irani qëndron pas sulmeve ndaj ambasadave izraelite në Evropë

30/05/2024

Mosadi: Irani qëndron pas sulmeve ndaj ambasadave izraelite në Evropë

Agjencia e inteligjencës Mosad ka hedhur akuza në drejtim të Teheranit duke thënë se Irani qëndron pas një vargu sulmesh terroriste ndaj ambasadave izraelite nga rrjete kriminale në Evropë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Agjencia hapi një hetim së bashku me homologët evropianë pasi një pajisje shpërthyese, që thuhet se ishte një granatë dore, u gjet brenda ambasadës izraelite në Stokholm në janar dhe u shkatërrua nga skuadra kombëtare suedeze për bomba.

Sipas Mosadit, pas marrjes në pyetje të të dyshuarve dhe ekzaminimit të provave mjeko-ligjore, hetuesit arritën në përfundimin se rrjeti i krimit të organizuar Foxtrot në Suedi qëndronte pas sulmit, me urdhër të Iranit.

Izraeli pretendon se udhëheqësi i Foxtrot, Raëa Majid, i njohur si "Dhelpra kurde" - ka punuar me Iranin për muaj të tërë, pretendon Izraeli. Ai u rekrutua nga agjentë iranianë pasi u arratis në Iran nga Turqia në shtator të vitit të kaluar, i ndjekur nga forcat e zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe forcat irakiane të sigurisë.

Referuar agjencisë së inteligjencës Mosad, Majid u arrestua nga Irani dhe u rekrutua për të planifikuar një sërë sulmesh në Evropë kundër objektivave hebreje dhe izraelite.

Ka pasur dhjetëra komplote terroriste të mbështetura nga Irani kundër objektivave hebreje dhe izraelite të zbuluara muajt e fundit, thotë agjencia izraelite, shumë prej të cilave përdorën rrjete kriminale lokale.

Më 17 maj, policia suedeze dëgjoi të shtëna me armë zjarri natën vonë pranë ambasadës izraelite. Ata arrestuan një djalë 14-vjeçar në lidhje me të shtënat dhe bënë të ditur se objektivi ishte ambasada izraelite.

Irani operon shumë organizata kriminale në Suedi dhe Evropë në përgjithësi, duke përfituar nga avantazhi relativ i secilës dhe ndonjëherë edhe nga rivaliteti mes tyre”, thotë zyrtari izraelit.

Foxtrot dhe Rumba marrin fonde dhe drejtim direkt nga Irani, pretendoi Mossad, dhe monitorohen nga afër nga inteligjenca evropiane, transmetojnë mediat izraelite.

Agjencia e spiunazhit gjithashtu akuzon Iranin se po përpiqet të përfitojë nga rritja e antisemitizmit në Evropë duke shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për sulmet.

/rtsh.al/