RTSH 24 Live

Kulturë

Mirush Kabashi, “Qytetar Nderi” i Durrësit, këshilli bashkiak e vlerëson aktorin pas vdekjes, për kontributin në art

18/04/2024

Mirush Kabashi, “Qytetar Nderi” i Durrësit, këshilli bashkiak e vlerëson aktorin pas vdekjes, për kontributin në art

Përmes një ceremonie mbresëlënëse, aktori i mirënjohur Mirush Kabashi është nderuar me titullin e lartë qytetar nderi i Durrësit. Ky titull iu akordua aktorit të madh me motivacionin “Personalitet i lartë dhe i shquar në fushën e artit, kulturës, edukimit, politikave kulturore, qytetar model, artist i madh i kinematografisë, skenës dhe ekranit”.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ia dorëzoi titullin vajzës së aktorit, duke thënë se interpretimet e roleve të larmishme e kanë bërë Mirush Kabashin një aktor mjaft të veçantë e të paharruar.

Një dokumentar i shkurtër i Regjisores Driada Dervishi, pjesë e të cilit ishte edhe një intervistë e Mirush Kabashit, e fundit që ai kishte dhënë dhe e pa transmetuar më i është prezantuar publikut të pranishëm.

“Mjeshtri i madh i skenës ka qenë në këtë sallë ka interpretuar në teatrin Aleksandër Moisiu për 22 vite rresht. Një vit para se Mirushi të ikte në një vend tjetër, na ka lënë një intervistë që për mua është një testament i mrekullueshëm artistik me të gjithë rrëfimin e një jete në skenë, por jo vetëm”, tha regjisorja Driada Dervishi.

Vajza e aktorit, Mendi Kabashi tha se ndihet e emocionuar sepse ky titull jepet në ditën e tij të lindjes dhe nga ana tjetër është i pranishëm edhe nipi i tij që mban tashmë emrin e gjyshit.

“E kujtoj ashtu të qeshur, karizmatik, gjithë dashuri e kujtoj me shumë mall”, tha e bija e aktorit, Mendi Kabashi.

Mirush Kabashi është autori i qindra roleve në teatër dhe kinematografi. Për më shumë se 20 vite ai ka qenë  pjesë e teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës, ndërsa më pas është zhvendosur në Tiranë. Në karrierën e tij artistike është fitues i afro 60 çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gazetar: M. Mirashi

/RTSH/