RTSH 24 Live

Kulturë

Kurorëzohet "Albanian dance competition", edicioni i tretë vlerësohet i suksesshëm

30/04/2024

Kurorëzohet "Albanian dance competition", edicioni i tretë vlerësohet i suksesshëm

Ka qenë performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës “Time" me koreografi të Taulant Shehu e cila ka mbyllur rrugëtimin pesë ditor  të festivalit të kërcimit “Albanian Dance Competition” mbajtur në Elbasan.

Organizatori i festivalit të kërcimit Artan Ibërshimi u shpreh i kënaqur pasi edicioni i këtij viti ishte jo vetëm më i kuruar artistikisht, por dhe interesi i artistëve për t’iu bashkangjitur ishte i lartë.

“Ishte një aktivitet i cili në u munduam ta kuronim me vepra të ndryshme koreografike nga terreni interpretues dhe krijues. Mendojmë që festivali në edicionin e tij të 3 pati një hov në prurje cilësore ashtu dhe në pjesëmarrje”, tha Artan Ibërshimi.

Me çmim të parë si interpretuesi më i mirë u vlerësua Blenard Azizaj, ndërsa çmimi për koreografinë më të mirë shkoi për Baletin Kombëtar të Kosovës.

“Kishte shumë larmishmëri krijuesish, interpretuesish dhe u munduam të zgjidhnim më të mirën, ky art sigurisht bëhet vetëm kur gjëja meritohet”, tha Lori Balla, Kryetare e Jurisë së Albanian Dance Competition.

“Për ne është nder, është kënaqësi secili çmim ka vlerat e veta dhe çmim është si një sinjal për ne për të punuar më shumë”, tha Seat Vuniqi, Kryetare e Jurisë së Albanian Dance Competition.

“Ndihem i vlerësuar nga juria, shumë i lumtur sepse është një festival dinjitoz”, tha Uesli Alushi, fitues i çmimit të dytë në koreografi.

Në edicionin e tretë të “Albanian Dance Competition” morën pjesë 10 trupa, mes të cilave Trupa e Shkollës Kombëtare të Baletit Shqipëri, Baleti nacional i Kosovës, kompani dhe individë të ndryshëm të cilët synojnë t’i japin një dinamikë tjetër tregut shqiptar në fushën e koreografisë.  

Gazetare: N. Spahiu

/RTSH/