RTSH 24 Live

Politikë

Miratohet hapja e ambasadave shqiptare në Kenia, Indi e Indonezi, Hasani: Më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare

17/04/2024

Miratohet hapja e ambasadave shqiptare në Kenia, Indi e Indonezi, Hasani: Më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot (17 prill) hapjen e 3 ambasadave të reja, në Kenia, Indi dhe Indonezi. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm, Igli Hasani përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se ky vendim forcon edhe pasaportën shqiptare në botë.

Hasani shkruan se nisma për hapjen e 3 ambasadave të reja  u mor edhe për të qenë më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.

Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë. Në Këshillin e Ministrave, sot miratuam hapjen e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja”, shkruan Hasani.

/rtsh.al/