RTSH 24 Live

Politikë

PS nuk shkoi në mbledhjen e Komisionit hetimor të Shëndetësisë, Vokshi: Të përjashtohet Ndreca

30/04/2024

PS nuk shkoi në mbledhjen e Komisionit hetimor të Shëndetësisë, Vokshi: Të përjashtohet Ndreca

Kryetarja e komisionit hetimor të Shëndetësisë, Albana Vokshi ka kërkuar që kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla të marrë masa urgjente pasi mazhoranca po pengon hetimet  e këtij komisioni duke mos lejuar mbajtjen e mbledhjeve.

Duke e cilësuar si një akt të rënde ndaj parlamentarizmit, Vokshi tha se duhen marrë masa ndaj Plarent Ndrecës. Gjatë një deklarate për mediat nga Kuvendi, Vokshi tha se mazhoranca bojkoton komisionin pa arsye legjitime.

“Mazhoranca bojkotoi komisionin pa asnjë arsye legjitime. Tjetër akt i rëndë ndaj parlamentarizmit, kontrollit parlamentar dhe hetimor. Po minohet mbarëvajtja e punëve të komisionit. Mbledhja e fundit u mbyll zyrtarisht nga ana ime dhe nuk miratuam dot kërkesat për informacion, ende nuk ka asnjë kërkesë për informacion të miratuar pasi ligji është bërë në mënyrë të tillë sa për çdo kërkesë duhet vendim i ndërmjetëm me shumicën e deputetëve të pranishëm.

I kemi kërkuar kryetares së Kuvendit që në përputhje me kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit të ushtrojë përgjegjësitë e saj. I kemi bërë thirrje publike, por jo vetëm, që të marrë masa urgjente për kthimin në normalitet të komisionit hetimor parlamentar. I kemi bërë kërkesa të përsëritura, për deputetët që refuzojnë të marrin pjesë dhe të përjashtojë nënkryetarin, Ndreca. Duhet të miratojmë kërkesat për informacion, mund të fillojë hetimi real parlamentar”, tha Vokshi.

Më herët gjatë ditës së sotme PS njoftoi se nuk do të marr pjesë në mbledhje pasi sipas tyre “opozita po vijon praktikën e caktimit të rendit të ditës në mënyrë të pakoordinuar”.

PS i ka bërë thirrje opozitës që të heqë dorë nga hetimi partiak dhe t’i kthehet hetimit parlamentar.

/rtsh.al/