RTSH 24 Live

Politikë

Dështon mbledhja e komisionit hetimor në Shëndetësi, Bardhi: Gjurmët e korrupsionit nuk i mbulon bojkoti

30/04/2024

Dështon mbledhja e komisionit hetimor në Shëndetësi, Bardhi: Gjurmët e korrupsionit nuk i mbulon bojkoti

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar për bojkotin e PS në komisionin hetimor të Shëndetësisë si dhe për paraqitjen në SPAK të kryebashkiakut Eriona Veliaj lidhur me inceneratorin e Tiranës.

Bardhi thotë se mungesa e përsëritur e PS në komisionin hetimor për kontratat në Shëndetësi është shenjë e “panikut që ka kapur mazhorancën për shkak të korrupsionit që është bërë me sterilizimin dhe check-up.”

“Bojkoti nuk e mbulon dot korrupsionin! Bojkoti nuk mund të jetë mjet në veprimtarinë e institucioneve. Kur ky mjet përdoret nga mazhoranca, me qëllim për të penguar punën e vetë institucionit dhe për të mos lejuar hetimin parlamentar, kjo merr tiparet e një puçi kushtetutes. Sjellja e përsëritur e deputetëve të mazhorancës në Komisionin Hetimor të kontratave koncesionare në shëndetësi është tregues i panikut që ka kapur mazhorancën nga kontrolli i kontratave korruptive të sterilizimit dhe check-up. Pse ikin? Pse fshihen? Kë po mbrojnë?

Sjellja bllokuese/bojkotuese fatmirësisht është një film i parë nga çdo qytetarë, sepse po ndjekin të njëjtin model që u përpoqën të ndiqnin në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve. Në atë rast dështuan me turp. Jo vetëm nuk e penguan opozitën që ti shkonte deri në fund asaj afere korruptive, por sot kishin rastin të shihnin Erion Veliajn, “dëshmitarin” kryesor të atij Komisioni Hetimor, tek priste 1 orë pas derës së SPAK për t’u marrë në pyetje”, shkruan Bardhi.

Bardhi tha se mazhoranca nuk duhet të bëjë avokatin e të korruptuarve, pasi sipas tij, gjurmët e korrupsionit nuk i mbulon dot as bojkoti, as bllokimet.

“Deputetët e mazhorancës duhet të kujtojnë fytyrën arrogante të Erion Veliajt në Komision Hetimor dhe ta krahasojnë me fytyrën e tij sot tek hynte në SPAK për të dhënë llogari për 130 milionë euro të vjedhura nga buxheti i qytetarëve në Inceneratorin e Tiranës. Në Komision Hetimor deputetët e mazhorancës i bënë avokatinë, por sot nuk e kishin këtë mundësi. 

 Prandaj, hiqni dorë nga bojkoti dhe rikthejuni misionit për të kontrolluar aferat korruptive. Detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin publik, jo të bëjë avokatinë e të korruptuarve. Gjurmët e korrupsionit në shëndetësi, njëlloj si tek inceneratorët, nuk i mbulon dot as bojkoti, as bllokimet, as vonesat dhe as avokatia partiake”, tha Bardhi.

PS njoftoi sot (30 prill) se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit hetimor për kontratat në shëndetësi se “opozita po vijon praktikën e caktimit të rendit të ditës në mënyrë të pakoordinuar”. Pas këtij bojkoti, kryetarja e komisionit Albana Vokshi kërkoi ndërhyrjen e Lindita Nikollës të marr masa sipas rregullores së Kuvendit dhe të përjashtojë nënkryetarin Plarent Ndreca.

Po sot kryebashkiaki I Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në SPAK si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës. Veliaj kishte njoftuar se do të shkonte vetë në SPAK dhe të dorëzonte dosjet me të gjithë kronologjinë e inceneratorit të Tiranës.

/rtsh.al/