Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut Choe Son Hui u zotua të ndihmojë Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës “deri në ditën e fitores” u bë e ditur gjatë bisedimeve me homologun e saj, Sergei Lavrov të premten në Moskë.
“Edhe një herë, ne premtojmë se do të qëndrojmë gjithmonë të vendosur në krah të shokëve tanë rusë deri në ditën e fitores”, tha Choe.
Lavrov iu referua bashkëpunimit të ngushtë midis ushtrive të dy vendeve dhe shërbimeve të sigurisë mes raporteve për vendosjen e mijëra trupave të Koresë së Veriut në Rusi afër kufirit me Ukrainën.
Choe akuzoi SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë të Ukrainës, për një luftë afatgjatë kundër Rusisë duke furnizuar me armë.
“Pheniani nuk dyshon se ushtria dhe populli rus nën udhëheqjen e mençur të presidentit të vlerësuar Vladimir Putin, pa dyshim do të sigurojnë një fitore të madhe në luftën e tyre absolute për të mbrojtur të drejtat sovrane dhe interesat e sigurisë shtetërore”, tha ajo.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se në rajonin Kursk të Rusisë në kufirin me Ukrainën, ishin dislokuar deri në 8 000 trupa të Koresë së Veriut.
Rajoni ishte objektiv i një inkursioni të papritur të trupave ukrainase në fillim të këtij viti.
Uashingtoni supozon se forcat koreano-veriore do të vendosen së shpejti për luftime.
Putini nuk e ka mohuar praninë e tyre dhe ka vënë në dukje se Ukraina po përdor gjithashtu personel nga vendet anëtare të NATO-s.
Prej disa muajsh, Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë raketa dhe predha, e cila nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
/ rtsh.al /