Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për veprën penale të ndotjes së ajrit, ujrave dhe tokës pas zjarrit që përfshiu ish-Kombinati Metarlugjik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Elbasanit bëhet e ditur se ky institucion ka nisur hetimet pasi është vënë në dijeni për ngjarjen kur “një masiv me skrap të ndodhur në ambientet e brendshme të ish- Kombinatit Metalurgjik Elbasan, të administruara aktualisht nga shoqëria “Kurum”, ka rënë një zjarr me përmasa të mëdha që ka shkaktuar ndotje të madhe në mjedisin e zonave përreth dhe më gjerë në Bashkinë Elbasan”.
“Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka filluar hetimet kryesisht, duke regjistruar procedimin penal nr. 1309, datë 07.11.2023 për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës” të parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal, pasi u mor dijeni në lidhje me ngjarjen e datës 06.11.2023 ku në një masiv me skrap të ndodhur në ambjentet e brendshme të ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan, të administruara aktualisht nga shoqëria “Kurum”, ka rënë një zjarr me përmasa të mëdha që ka shkaktuar ndotje të madhe në mjedisin e zonave përreth dhe më gjerë në Bashkinë Elbasan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Gjithashtu bëhet e ditur se për hetimin e këtij procedimi penal është ngarkuar një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, të cilët në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit kanë kryer veprimet e para hetimore në kuadër të procedimit penal të sipërcituar, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së ndodhur.
/rtsh.al/