SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 të pandehur, të cilët akuzohen për skemën e mashtrimit dhe korrupsionit me banesat sociale në zonën e Spitallës në Durrës.
Të pandehurit Gëzim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj kishin ngritur skemën e përfitimeve të paligjshme, duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore, të cilët kishin dhe mundësi vendimmarrjeje në dhënien e banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës, personave të interesuar, kundrejt shumave monetare, që sipas tyre do shërbenin për bllokimin e banesës përmes dhënies së “kafeve” ndaj të tretëve.
Personat e interesuar për marrjen e banesave sociale, përveç pagesës paraprake të shumës monetare, që shkonte deri në 15 mijë euro, vijonin t’u dorëzonin të pandehurve dokumentacionin për vazhdimin e procedurës standarde të përfitimit të banesës sociale.
Më pas, sipas tyre, personave të interesuar do t'u dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve dhe në banesë do futeshin pas disa muajsh. Pas këtij momenti, përfituesi i banesës sociale detyrohej që të paguante një qira minimale për disa vite, shumë e cila do të vlerësohej në bazë të sipërfaqes së përfituar për metër katror.
“Të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mes datave 01.02.2023-01.03.2023 kanë kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt respektivisht në 4 episode, ndaj disa subjekteve (agjentit në mbulim, si dhe ndaj tre subjekteve të tjerë), shuma monetare që variojnë nga 5 000 deri në 10 000 euro, tek të cilët kanë siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike për të mundësuar përfitimin e një banese sociale në Durrës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Tahir Sylaj, u kanë premtuar dhe u kanë dhënë drejtpërdrejt mbi 50 mijë lekë të pandehurve; Gëzim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, të cilët u kanë premtuar se janë në gjendje të ndikojnë në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, për të përfituar banesa sociale.
Tetë të pandehurit janë: Gezim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, të cilët akuzohen për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe për përfitime të tjera të paligjshme. Ndërkohë, tre të tjerët Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, akuzohen për dhënie ryshfeti për të përfituar banesa sociale.
/rtsh.al/