Protokolli i bashkëpunimit për çështjen e emigracionit mes Italisë dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest, tha të premten kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Vazhdon të ketë një interes të jashtëzakonshëm, një vëmendje që unë e konsideroj absolutisht pozitive”, tha Meloni për gazetarët në Budapest.
“Gjithashtu, pati një kureshtje për sa u përket shteteve të sigurta. Ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm prek edhe shtetet e tjera. Kishte shqetësim për faktin sesi mundet që qeveritë nuk lejohen të vendosin vetë se cili shtet është i sigurtë, duke e rrezikuar realisht këtë koncept”, theksoi kryeministrja italiane.
“Kjo kompromenton çdo përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë pata solidaritetin e tyre”, shtoi Meloni.
Liderët evropianë i kanë shprehur solidaritetin kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë takimit joformal të BE-së në Budapest – ku, sipas saj, pjesë e diskutimeve ishin edhe kampet e refugjatëve të ngritura në Shqipëri.
Meloni përmendi nismën e Italisë për ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri, e cila ka tërhequr vëmendjen e disa vendeve anëtare të BE-së. Kjo masë, e fokusuar veçanërisht në sigurimin e opsioneve të sigurta të kthimit për migrantët, pasqyron qëndrimin e Italisë për menaxhimin e migracionit.
Megjithatë, gjyqësori italian ka sfiduar autoritetin e qeverisë për të dëbuar emigrantët e paligjshëm në vendet e përcaktuara 'të sigurta', një qëndrim që Meloni e kritikoi, duke deklaruar: 'Sipas gjykatave italiane, nuk ka asnjë vend të sigurt në botë, duke çuar në një rritje të pakontrolluar të emigracionit dhe pamundësia për të ndaluar hyrjet e paligjshme.'
Deklaratat e Giorgia Melonit pasqyrojnë angazhimin e Italisë për të formuar një BE që i jep përparësi zgjidhjeve praktike, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë strategjike. Ndërsa Evropa përballet me sfida në rritje, vizioni i Melonit nënvizon një thirrje për veprim vendimtar dhe bashkëpunues midis kombeve të BE-së. Hungarianconservative
/rtsh.al/