Ministria e Bujqësisë informon publikun se nuk ka dyshime dhe ri konfirmime të reja për Influencën aviare, në vendin tonë, siç quhet ndryshe dhe gripi i shpendëve.
Në harkun javor 30 Tetor – 7 Nëntor 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vijuar monitorimin në fshatrat e zonës së mbikëqyrjes 3 km dhe atë të zonës së mbrojtjes 10 km, për të kontrolluar dhe inventarizuar 3,935 ferma shpendësh të madhësive të ndryshme.
“Nga kontrolli fizik i shpendëve në këto ferma, gjendja shëndetësore është paraqitur pa shqetësime lidhur me kuadrin klinik të Influencës aviare. Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës kanë vazhduar raportimin dhe koordinimin ditor deri në mbylljen e rastit dhe daljen nga karantina të vatrës pozitive.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Për gjurmim të hershëm dhe kufizim të përhapjes së sëmundjes, shërbimi veterinar i AKVMB ka marrë dhe dërguar në ISUV 209 mostra për analizim rreth rrezes 3 km dhe 10 km.
Në zbatim të Programit të Survejancës aktive për fazën e tret që ka filluar në tetor për Sëmundjen e Influencës Aviare kanë mbërritur në Laboratorin e Referencës – ISUV 140 kampione nga Rajone të tjera, përkatësisht qarku Elbasan, Korçë, Shkodër, Lezhë, Dibër, Fier.
“Instituti i sigurisë Ushqimore dhe veterinarisë informon se rezultatet e analizave deri në datën 6.11.2024, kanë rezultuar NEGATIV për Influencë Aviare me metodën konfirmatore RT-PCR.”, vijon njoftimi i ministrisë së Bujqësisë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon se ka vijuar monitorimet për të gjithë qarkun Tiranë, ku nuk janë konstatuar probleme me tregtimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe specifikisht nga shpendët.
Kontrolli është ushtruar në 22 subjekte tregtare të vezëve, mishit të pulës dhe restorante.
“Instituti i Shëndetit Publik informon se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës shëndetësore në njerëz, ku deri më sot nuk ka njoftime apo raste të dyshuara për simptoma të ngjashme respiratore. Gjithashtu, ISHP është në kontakt të vazhdueshëm me mjekët e familjes.”, bëri të ditur ministria e Bujqësisë.
MBZHR njofton konsumatorin të konsumojë produkte të certifikuara dhe kontrolluara nga autoritetet përkatëse, të ruajë kushtet higjienike, si dhe të sigurojë trajtimin termik në temperatura të larta gjatë konsumit të produkteve me origjinë shtazore.
Kërkohet ndërgjegjësim dhe bashkëpunim nga fermerët e shpendërritësit e të gjitha kategorive, të rrisin masat e bio sigurisë, kufizojnë kontaktin e shpendëve të tyre me shpendët e egër për uljen e riskut të ekspozimit.
/rtsh.al/