Prangoset shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta. Policia e Shtetit bëri të ditur se në kuadër të megaoperacionit “Flakë në Det” në bashkëpunim me SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, ka arrestuar shefin e komisariait të Laçit, i cili dyshohet se është përfshirë në veprimtari kriminale si "trafik droge", përfshirje në krim të organizuar dhe grup të strukturuar kriminal.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se krahas arrestimit të Metës, janë shpallur në kërkim edhe shtetasit Gëzim Çela, Arben Dalipaj banues Vlorë, Roland Guzo banues në Durrës.
"Në vijim të hetimeve të kryera, SPAK ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg' për trafik narkotikësh për grup të strukturar kriminal për Gëzim Çelën, Arben Dalipaj banues Vlorë, Roland Guzo banues në Durrës. Dritan Meta, shefi i policisë Laç, është i arrestuar. Tre të tjerët janë shpallur në kërkim. Po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre. ’, tha Rrumbullaku.
Sipas Rrumbullakut është provuar që shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta, ishte pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
"Kemi një vendim të Gjykatës të Posaçme. Kemi dokumentuar të gjithë rolin dhe përfshirjen e tij në mbështetje të grupit të strukturuar kriminal. Hetimet e kryera dhe veprimet e sotme, konfirmojnë vendosmërinë e Policisë, për të luftuar në bashkëpunim me partnerët krimine organizuar, por edhe përforcojnë këmbënguljen tonë për t’u vetëpastruar nga çdo individ, i cili uniformën e Policisë e përdor në shkelje të betimit të tij, duke mos i shërbyer shërbyer ligjit, shoqërisë, mbrojtjes së jetës dhe të drejtave të qytetarëve. Duke përfituar nga rasti, i bëj thirrje çdo qytetari, që të mos hezitojë të informojë për çdo veprim të punonjësve të Policisë në shkelje të detyrës, pasi vetëpastrimi në radhët e Policisë së Shtetit, nuk është për ne një fushatë, por një prioritet dhe një proces i pandërprerë për të ndërtuar një Polici me integritet të lartë moral e profesional, për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Siguroj qytetarët se Policia e Shtetit, është maskimalisht e vendosur për të luftuar me forcën e ligjit çdo fenomen kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike, si dhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm si dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë operacionet për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme" tha Rrumbullaku.
Sipas drejtori të Policisë së Shtetit, gjithçka nisi pas zbulimit të një rrjeti të trafikut të drogës në Lagunën e Patokut, ku u pikasën dy mjete lundruese që dyshohet se shkëmbenin lëndë narkotike.
Sipas policisë, shtetasit që ndodheshin në velierë, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të ikin me një varkë të vogël por janë arrestuar nga policia. Janë sekuestruar 23 kg drogë dhe një shumë e madhe parash.
“Operacioni i koduar ‘Flakë në det’, u finalizua në bazë të inteligjencës policore, në bashkëpunim me policinë italiane. Ky operacion filloi pas njoftimit për lëvizjen e një mjeti lundrues nga Laguna Patoku në jug-perëndim. Ky mjet ka kontaktuar në det me një tjetër mjet dhe dy persona në të dy mjetet kanë shkëmbyer lëndë narkotike. Shtetasit në velierë kur kanë konstatuar policinë, i kanë vënë zjarrin asaj dhe kanë tentuar të largohen me një barkë, por janë kapur në flagrancë. Janë arrestuar 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas. U sekuestruan 2 armë zjarri, një shumë e madhe parash, 25 celularë dhe 23 kg drogë, e cila u gjend në det”, tha ai.
/rtsh.al/