RTSH 24 Live

Politikë

Mbyllja e kolegjit turk, opozita: Qeveria të bëjë transparencë, rezulton si një ndër 10 institucionet arsimore më të mira në vend

23/09/2022

Mbyllja e kolegjit turk, opozita: Qeveria të bëjë transparencë, rezulton si një ndër 10 institucionet arsimore më të mira në vend

Opozita ka reaguar për vendimin e Këshillit të Ministrave për mbylljen e shkollës jopublike turke “Mehmet Akif”. Deputeti i PD-së Dashnor Sula tha se duhet transparencë për vendimin e qeverisë pasi ky kolegj rezulton tek 10 institucionet më të mira arsimore në Shqipëri.

“Në ditën që Kryeministri ndodhej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ku një peshë të madhe në diskutim kishte agresioni i diktatorit rus në Ukrainë, në Shqipëri urdhëroi ministrat e tij që të mbyllnin një shkollë që operon në vend prej 30 vitesh. Mbyllja e një institucioni arsimor pa transparencë në një kohë që situata në sektorin e arsimit është e rëndë, është e dyshimtë. Ju kujtoj se sipas statistikave zyrtare numri i nxënësve është ulur me 37% gjatë kohës që në krye të qeverisë është kryeministri aktual. Nëse Kolegji Turk "Mehmet Akif" ka shkelur ligjet e shtetit shqiptar gjatë operimit në vendin tonë, atëherë duhet ti nënshtrohet masave administrative sipas rastit.

Por dhe këtu ka një POR të madhe, nga një verifikim i thjeshtë në adresat zyrtare të institucioneve shtetërore ky kolegj rezulton tek 10 institucionet më të mira arsimore në Shqipëri. Nuk ka asnjë raportim për shkelje të ligjeve vendase. Përkundrazi referuar raportimeve të shumta mediatike dyshohet se urdhri për mbylljen është një plotësim dëshire nga Kryeministri Rama ndaj Presidentit turk Erdogan. Nëse kjo do të ishte e vërtet, atëherë do ishte kërcënim serioz për vendin. Ndaj për të shmangur çdo dyshim të arsyeshëm që mund të ngjallte urrejtje mes popujve të dy vendeve Shqipëri-Turqi, qeveria shqiptare duhet të dalë menjëherë e të bëj transparencë menjëherë për vendimin e mbylljes. Nëse kolegji turk ka shkelur ligjet shqiptare atëherë duhet të dalë Ministria e Arsimit e të thotë se cilat ligje ka shkelur. Nëse jo, atëherë qeveria duhet të mblidhet sërish e të anulojë vendimin. Shqipëria është shtet ligjor dhe s'mund të funksionojë me orekse personale”, shkruan Sula.

Edhe deputetët që janë bërë pjesë e fraksionit të PD që mbështesin Sali Berishën akuzuan Ramën se detyroi dy ministre të firmosnin për mbylljen e shkollës. Deputetja Albana Vokshi tha se kolegji “Mehmet Akif” është një ndër institucionet elitare të arsimit në vend që ka 30 vite i certifikuar.

“Edi Rama, si një ajatollah, ka detyruar dy gra në qeverinë e tij, të firmosin për mbylljen e një gjimnazi dhe të një kopshti me 225 fëmijë në Tiranë. Prindërit dhe nxënësit e shkollës të mbyllur në urdhër të Edi Ramës, në protestën e tyre deklarojnë se urdhri nuk ka lidhje me plotësimin e standardeve ligjore, siç ministrja pretendon. Përfaqësuesit ligjorë të shkollës thonë se kjo shkollë i ka plotësuar të gjitha detyrimet ligjore. Në këto momente nxënës e prindër po zhvillojnë një proteste. 16 medalje ari dhe një dekoratë e firmosur nga vetë Edi Rama është simbolika më e fortë që i jepet një shteti që është kundër arsimit.

Edi Rama ka pritur fillimin e vitit të ri shkollor për të urdhëruar mbylljen, siç pret të hapet sezoni turistik, çdo vit, për të nisur shembjet. Gjimnazi Mehmet Akif është një aset që duhet mbrojtur, një shkollë elitare, e certifikuar në 30 vjet për cilësinë e mësimdhënies, përgatitëse e brezave të shkëlqyer me nxënës nga e gjithë Shqipëria. Dhjetëra nxënës që kanë shkëlqyer në çdo universitet dhe kanë fituar olimpiada kombëtare dhe ndërkombëtare. Partia Demokratike e dënon aktin e Edi Ramës, i cili kur nuk është duke ndërtuar për Vuçiçin, është duke shembur për Erdoganin”, tha Vokshi.

Në lidhje me rastin reagoi edhe Ministria e Arsimit ku tha se shkolla u mbyll pasi nuk plotësonte kriteret ligjore duke mohuar arsyetimet se kjo u bë me kërkesë të Erdoganit pasi ishte një shkollë e themeluar nga organizata e Gylenit.

/rtsh.al/