RTSH 24 Live

Kosovë

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Vuçiç: Të vendosur për të mbrojtur popullin, ushtria në nivelin më të lartë të gatishmërisë

27/05/2023

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Vuçiç: Të vendosur për të mbrojtur popullin, ushtria në nivelin më të lartë të gatishmërisë

Forcat e armatosura të Serbisë mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, ky ishte vendimi i marrë nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Serbi, që u zhvillua pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Media serbe “Tanjug”, shkruan se gjatë takimit u ra dakord për të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Serbisë.

Republika e Serbisë do të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj”, ka thënë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Të premten (26 maj) marrja e detyrës nga kryetarëve të rinj të 3 komunave në veri të Kosovës ka hasur në rezistencën e serbëve lokalë, të cilët nuk i pranojnë si të përzgjedhurit e tyre. Për këtë arsye, është dashur edhe ndërhyrja e policisë, ku pesë efektivë të Kosovës kanë mbetur të plagosur. Për të shpërndarë protestuesit Policia përdorur edhe gaz lotsjellës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi këtë të shtunë, duke ftuar qytetarët, veçanërisht ata serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj të komunave. Në përgjigje të reagimeve nga partnerët ndërkombëtarë, Kurti tha  se nuk kishin zgjidhje tjetër pasi një veprim ndryshe do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.

Për këtë situatë reaguan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e BE të cilët dënuan sulmet dhe kërkuan ndërprerjen e masave të dhunshme.  NATO kërkoi që institucionet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatë, duke bërë thirrje për dialog mes palëve. 

/rtsh.al/