RTSH 24 Live

Ekonomi

Mbillen 7 mijë fidanë në Qafshtamë/ Klosi: Sa më shumë zona të gjelbëruara për të minimizuar efektet e ndryshimeve klimatike

18/12/2020

Mbillen 7 mijë fidanë në Qafshtamë/ Klosi: Sa më shumë zona të gjelbëruara për të minimizuar efektet e ndryshimeve klimatike
Qafshtamë

 Rreth 7 mijë pemë të reja u mbollën në Qafshtamë me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit “Mbështetje për Punë Publike”, zbatuar nga GIZ në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Projekti parashikon në total mbjelljen e rreth 20.000 pemëve në zonat e mbrojtura të Lurës, Qafështamës dhe Bunë-Velipojë, për të cilat u punësuan rreth 50 persona në nevojë ekonomike (19 prej tyre në Qaf- Shtamë).

“Në këtë zonë të dëmtuar nga djegiet e dekadave të fundit do të mbjellim 7 mijë fidanë të rinj pishë e zezë e cila do të jetë një projekt i implementuar nga vet banorët e zonës, pasi projekti është për ndihmë të komunitetit dhe për punësim të banorëve të zonës. Është një moment për të folur shumë për ndryshimet klimatike e gjithë bota edhe në kuadër të pandemisë po flet për problematikat e mjedisit dhe ne do të duhet të bëjmë detyrën tonë”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ishte sot i pranishëm në procesin e mbjelljes së pemëve të reja në Qafshtamë.

“Dje kaloi ligji i ri për ndryshimet klimatike na detyron që gjithmonë e më shumë të mendojmë për sa më pak efekte negative në mjedis dhe sa më shumë mbjellje dhe sa më shumë gjelbërim sa më shumë ndryshime në industritë tona dhe sa më shumë veprime të cilat shtojnë në mbrojtje të mjedisit”,- tha Klosi.

“Kjo iniciativë është në kuadër të mbështetjes së qeverisë gjermane për zbutjen e efekteve të pandemisë dhe njëkohësisht zbatimin e masave përshtatëse ndaj ndryshimeve klimatike. Paralelisht me mbjelljen në zonat e mbrojtura, është punuar edhe për pastrimin e kanaleve në katër bashki të Shqipërisë duke injektuar kështu rreth gjysmë milioni euro në ekonominë shqiptare përmes punësimit afatshkurtër të rreth 50 personave dhe mbjelljes se 20 mijë fidaneve”, tha Merita Meksi, zv.menaxhere e programit te klimës.

Projekti u zbatua në kuadër të mbështetjes që Qeveria Gjermane po jep për zbutjen e pasojave të COVID-19, nëpërmjet programit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike nëpërmjet menaxhimit të rrezikut ndaj përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”.