RTSH 24 Live

Aktualitet

Masakra në Shkodër, arrestohen 4 efektivë. Lejuan të largohej personi i tretë që ndodhej në makinë me viktimat

17 orë para

Masakra në Shkodër, arrestohen 4 efektivë. Lejuan të largohej personi i tretë që ndodhej në makinë me viktimat

Katër efektivë të Policisë së Shkodrës janë arrestuar pasi akuzohen për shpërdorim detyre gjatë hetimeve të masakrës së Dobraçit, ku 4 persona humbën jetën. Arrestimi ndodhi pas referimit të efektivëve nga AMP në prokurorinë e Shkodrës.

Efektivët akuzohen se nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Buhatit, të cilët mbetën të varrë gjatë atentatit.

Hetimet zbuluan se efektivët nuk kanë respektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.

Në pranga përfunduan efektivët B. K., dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër dhe J. S., dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.

Masakra e Dobraçit ndodhi me 30 tetor, ku Hamza Lici dhe Arlind Bushati u qëlluan për vdekje nga një makinë në lëvizje. Nga të shtënat mbetën të vdekur edhe dy kalimtarë të rastit.

Për ngjarjen nuk ka ende asnjë autor të arrestuar, ndërsa mbetet ende mister se kush ishte personi i tretë që ishte në makinë së bashku me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin. Prezenca e tij në vendin e ngjarjes u zbulua nga kamerat e sigurisë, por ende nuk është identifikuar nga polica.

/rtsh.al/