RTSH 24 Live

Botë

Masakra e vitit 1961 ndaj algjerianëve në Paris - Asambleja Kombëtare miraton rezolutën që dënon ngjarjen

28/03/2024

Masakra e vitit 1961 ndaj algjerianëve në Paris - Asambleja Kombëtare miraton rezolutën që dënon ngjarjen

Dhoma e ulët e parlamentit francez miratoi të enjten një rezolutë që e cilëson si shtypje të përgjakshme dhe vrastare vrasjen nga policia e Parisit të dhjetëra algjerianëve gjatë një proteste në vitin 1961 në mbështetje të pavarësisë algjeriane. Vitet e fundit, Franca ka ndërmarrë një sërë përpjekjesh për të adresuar të kaluarën e saj koloniale në Algjeri. 

Dhjetëra protestues paqësorë humbën jetën si pasojë e adresimit të dhunshëm nga policia e Parisit të protestës që u mbajt nga algjerianët në 1961. Përmasat e masakrës u mbuluan për dekada nga autoritetet franceze para se presidenti Emanuel Macron ta dënonte dhe ta cilësonte sit ë pajustifikueshme në vitin 2021 ndërsa pranoi se trupat e dhjetëra protestuesve ishin hedhur në lumin Senë.

Teksti i rezolutës që u miratua nga asambleja kombëtare thekson se shtypja e protestës u ndërmor nën autoritetin e prefektit të policisë Maurice Papon dhe gjithashtu bën thirrje që masakra të përkujtohet zyrtarisht. 

Teksti u dërgua në parlament nga ligjvënësja e të gjelbërve Sabrina Sebaihi dhe ajo e Partisë Rilindja të Macron Julie Delpech. Sipas Sebaihi votimi përfaqësonte hapin e parë drejt njohjes së krimit kolonial dhe krimit shtetëror, siç u shpreh ajo. Megjithatë termi krim shtetëror nuk ishte i pranishëm në tekstin e rezolutës.  Numri i saktë i viktimave asnjëherë nuk është ditur dhe aktivistët thonë se mund të jenë vrarë disa qindra persona.

Gazetare: E. Pepa

/RTSH/