RTSH 24 Live

Botë

Biden sulmon Trump, presidenti amerikan ironizoi rivalin e tij në takimin me Shoqatën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

28/04/2024

Biden sulmon Trump, presidenti amerikan ironizoi rivalin e tij në takimin me Shoqatën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti amerikan Jo Biden sulmoi paraardhësin e tij Donald Trump gjatë fjalimit vjetor në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e këtij viti. Biden përdori takimin tradicional me gazetarët për të ironizuar çështjen e moshës së tij, por edhe të rivalit republikan. “Zgjedhjet janë duke ardhur, dhe po, mosha është një çështje, por unë jam një burrë i rritur që garoj kundër një 6-vjeçari", tha Biden, duke iu referuar ish-presidentit Donald Trump.

Presidenti thumboi paraardhësin e tij lidhur me problemet ligjore . “Trump ka pasur ditë të vështira së fundmi”, u shpreh ai duke vënë dukje gjyqin e fundit në Nju Jork, ku ish-presidenti akuzohet se u përpoq të fshihte një pagesë dhënë një aktoreje filmash për të rritur përpara se të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2016. 

Edhe komediani i zgjedhur për të argëtuar të ftuarit, Kolin Xhost, ironizoi gjithashtu problemet ligjore të Trump, por edhe moshën e dy kandidatëve presidencialë. “Unë nuk po them që dy kandidatët janë të vjetër, por Xhimi Karter është duke menduar se ndoshta ai mund ta fitojë këtë garë", u shpreh komediani duke iu referuar Presidentit të 39-të të Shteteve të Bashkuara që këtë vit feston 100-vjetorin e lindjes.

Ndërsa fjalimi mori nota serioze, Biden vuri theksin tek liria e shtypit dhe rreziku që paraqet për demokracinë një rikthim i Trump si president. Ndërkohë një numër i konsiderueshëm protestuesish pro-palestinezë u grumbulluan jashtë hotelit ku u mbajt takimi dhe kritikuan trajtimin e luftës në Gaza nga ana e tij.

Çdo vit në muajin prill, presidenti në detyrë dhe gazetarët mblidhen në një darkë në Shtëpinë e Bardhë,  e cila dominohet nga notat humoristike, që njihet si ‘Darka e Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë’.

/RTSH/