RTSH 24 Live

Botë

Hamasi publikon videon e 2 pengjeve, izraelitët rrisin presionin ndaj Netanjahut për lirimin e tyre

28/04/2024

Hamasi publikon videon e 2 pengjeve, izraelitët rrisin presionin ndaj Netanjahut për lirimin e tyre

Hamasi ka publikuar një video ku dalin dy pengje të kapur në Izrael për të treguar se janë ende gjallë. Kjo video vjen në një moment mjaft të tensionuar ku Izraeli dhe Hamasi ende nuk po mundin të arrijnë një marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve, ndërsa në Tel Aviv kanë nisur protestat masive ku familjarët e pengjeve kërkojnë nga Netanjahu lirimin e tyre.

Kjo video ka rritur edhe më shumë presioni mbi qeverinë e Netanjahut për të miratuar një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve.

Videoja tregoi pengjet Keith Siegel , 64 vjeç dhe Omri Miran , 46, civilë të cilët u rrëmbyen nga vendlindja e tyre gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor. Video nuk ka datë, por Omri Miran thotë se ai është mbajtur për 202 ditë dhe Keith Siegel përmend festën e Pashkës së kësaj jave, duke treguar se klipet janë filmuar së fundmi.

Hamasi pretendon përmes videos se presioni ushtarak i Izraelit nuk kishte arritur të lirojë pengjet dhe se izraelitët duhet të vazhdojnë t'i bëjnë presion liderëve të tyre për kompromis.

Videoja përfundoi me një mesazh nga Hamasi ku thuhet se “udhëheqësit tuaj nazistë nuk kujdesen për fatin e djemve tuaj të robëruar apo për ndjenjat e tyre. Bëj atë që duhet para se të jetë tepër vonë.”

Hamasi ka publikuar më parë disa video të ngjashme të mbajtjes së pengjeve, në atë që Izraeli thotë se është një “luftë e mjerueshme psikologjike”.

/rtsh.al/