Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar kandidaturën e sllovenes Marta Kos si Komisionere për Zgjerimin e BE-së.
Në seancën dëgjimore para Komisionit, raporton REL, Kos ka deklaruar se nuk e mbështet idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo! Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t'i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Administrata e mëparshme e Trump ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.
Sipas REL, Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.
Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.
Negociatat për anëtarësim me Malin e Zi e Shqipërinë mund të mbyllen brenda vitesh
Ndërkaq, duke folur për zgjerimin, Kos deklaroi se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi të përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.
Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.
“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t'i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.
/rtsh.al/