RTSH 24 Live

Politikë

Marshim-protestë në Shkodër, Noka: Kundër krimit me fytyrë shtetërore

02/11/2024

Marshim-protestë në Shkodër, Noka: Kundër krimit me fytyrë shtetërore

Partia Demokratike organizoi të shtunën një marshim-protestë në Shkodër për të rikthyer vëmendjen te situata me sigurinë në vend.

Marshimin e kryesuan një grup qytetarësh gra e burra, që mbanin në duar parullën "Qytetnimi asht ma i fort se krimi. Po na vrasin, duhet reagim!". Mbas tyre qëndronin edhe figurat politike të opozitës.

Shkak për protestën e fundit u bë ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë në qytet, ku sulmi me armë ndaj dy personave përfundoi me tri viktima, mes tyre edhe një kalimtare e rastit. Atentati kishte në objektiv Hamza Licin dhe Arlind Bushatin.

"Jemi këtu për të sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Nuk mundet Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s që ka hapur kapitujt e asociim-stabilizimit me BE, që të jetë vend i krimit të organizuar, djep i mafies. Shqipëria duhet të jetë tjetër, një Shqipëri normale. Ky është një marshim-protestë kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore," u shpreh Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.

Deputeti demokrat akuzoi policinë se po vepron si një organ politik, që ka për fokus "luftën kundër opozitës".

Edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri thirrje për bashkim pa bindje kundër fenomeneve kriminale në vend.

"Pa diskutim duke ngritur zërin. Ky është një fenomen me të cilin askush nuk mund të pajtohet. Policia e Shtetit duhet të bëjë detyrën e saj, të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të krimit të organizuar. Nëse Policia e Shtetit i nënshtrohet krimit të organizuar atëherë askush prej nesh nuk ka siguri as për jetën dhe as për pronën e tij. Krimi i organizuar në mënyrë të vijueshme shantazhon bizneset dhe nuk ka asnjë masë nga Policia e Shtetit," deklaroi z. Bardhi.

"Shkodranët duhet të jenë në këtë protestë, sepse është e papranueshme që Shkodra të jetë model i simbiozës së krimit në politikë. Kjo nuk po ndodh vetëm në Shkodër, por kudo, në Durrës, Elbasan, në gjithë Shqipërinë është përhapur si model dhe mënyrë qeverisjeje. Është një mekanizëm kriminal ku krimi prodhon vota dhe votat e pushtetit politik i japin pushtet krimit, ndaj shkodranët dhe jo vetëm duhet të reagojnë. Kjo jo vetëm sot, por të vazhdojë përballja me këtë mekanizëm kriminal që ka një person në kokë, Edi Ramën," shtoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

/rtsh.al/