RTSH 24 Live

Rajon

Marrëveshja për targat Kosovë-Serbi, Lajçak: Ende asnjë rezultat, progres në çështjet e tjera

13/05/2022

Marrëveshja për targat Kosovë-Serbi, Lajçak: Ende asnjë rezultat, progres në çështjet e tjera

Takimi i kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel për vijimin e dialogut ka përfunduar pa marrëveshje për targat. Përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serb, Miroslav Lajçak tha se ende nuk ka një marrëveshje mes palëve për targat, por është shënuar progres në çështje të tjera si energjia. Lajçak fillimisht ka kryer takime të veçanta me delegacionin e Kosovës e udhëheq, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, Petar Petkoviç dhe më pas një takim të përbashkët me to.

“Sapo përfunduam takimin e sotshëm të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, asnjë marrëveshje nuk është arritur për targat, megjithatë është shënuar progres në fusha të tjera, përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Marrëveshja e përkohshme e targave ka përfunduar më 21 prill. Ajo u nënshkrua më 30 shtator të 2021 ku parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës. Kjo marrëveshje erdhi pas trazirave në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

/rtsh.al/