RTSH 24 Live

Politikë

Marrëveshja e Ohrit/ Albin Kurti sot në Tiranë, takon krerët e shtetit

26/03/2023

Marrëveshja e Ohrit/ Albin Kurti sot në Tiranë, takon krerët e shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sot (26 mars) Tiranën ku dhe do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Marrëveshja arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë fokusi i bisedimeve mes dy kryeministrave.

Gjatë kësaj vizite, Kurti do zhvillojë takim në orën 11:00 me presidentin Bajram Begaj, e më pas në orën 11:30 dhe me Kryeparlamentaren, Lindita Nikolla.

Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kjo vizitë e kryeministrit të Kosovës vjen disa ditë pas marrëveshjes në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shumë shtete të BE-së e kanë mirpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi.

/rtsh.al/