RTSH 24 Live

Sociale

Maratona e Tiranës, 4 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës

20/10/2024

Maratona e Tiranës, 4 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës

Po zhvillohet edicioni i tetë i Maratonës së Tiranës. Këtë vit, në Maratonën e Tiranës në garë janë 4000 pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por gjithashtu dhe nga vende të huaja.

Maratona ka nisur në orën 09:00 dhe do të mbyllet në orën 16:00, ndërsa do të zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon” 42 km, “Half Marathon” 21 km, “Tirana 10K”, 10 km, dhe “We Too” 5 km. 

Ndërkohë ka përfunduar me sukses Maratona për distancën 10 km. Në podiumin e meshkujve, David Nikolla nga Shqipëria u shpall fitues, duke lënë pas konkurrentët e tjerë me një performancë të shkëlqyer. Pas tij, në vendin e dytë u rendit Albion Ymeri nga  Kosova dhe Bogdan  Somenoyyeh  nga Ukraina zuri vendin e tretë.

Në kategorinë e femrave, fituesja e garës ishte Gresa Bakraqi nga Kosova, e cila u shfaq në formë të shkëlqyer. Redia Dauti nga Shqipëria u klasifikua në vendin e dytë, ndërsa Luisa Gaia Dal Molin nga Italia përfundoi garën në vendin e tretë.

Për të siguruara mbarëvajtjen e Maratonës është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve nga sheshi “Nënë Tereza” deri në fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë është hartuar edhe një plan që parashikon devijimin e lëvizjes së automjeteve dhe linjave të transportit urban që operojnë brenda kryeqytetit deri në orën 16:00. 

Programi i nisjes:

08:50   Garuesit afrohen në zonën e Startit

08:55   Thirrja e fundit

09:00   Start 42 km

09:05​   Start 21 km

09:10   Start 10 km

09:30​   Start We Too

/rtsh.al/