RTSH 24 Live

Aktualitet

Lufta ndaj drogës, megaoperacion nga ajri dhe toka për asgjësimin e lëndëve narkotike

27/06/2024

Lufta ndaj drogës, megaoperacion nga ajri dhe toka për asgjësimin e lëndëve narkotike

Policia ka zhvilluar një megaoperacion në Shkodër për asgjësimin e kultivimit të lëndëve narkotike. Operacioni i zhvilluar nga toka dhe ajri në zona me terren të vështirë ku ndërhyrja e forcave të Policisë u krye me helikopterin e Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë kësaj faze u angazhuan 80 punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, ndërsa u asgjësuan 13 194  fidanë e bimë kanabis( 6500 fidanë dhe 6694 bimë kanabis)

Bazuar në koordinatat e siguruara me parë nga monitorimet me dron të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është bërë e mundur që nëpërmjet disa fluturimeve me helikopterin e  Forcave Ajrore, 80 punonjës policie të kryenin kontrolle në vendin e quajtur “Rrethi i Brashtës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrolleve në këtë zonë u gjetën dhe u asgjësuan mbi 13 mijë fidanë e bimë narkotike cannabis sativa.

Ndërkaq, gjatë fazave të mëparshme të megaoperacionit “Territor i pastër”, përgjatë këtij 6-mujori, shërbimet e DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë asgjësuar rreth 137140 fidanë e bimë narkotike cannabis sativa, si dhe kanë arrestuar dhe proceduar 41 shtetas.

/rtsh.al/