Në javët e para të luftës në Ukrainë, nëse ecje përgjatë vijës së frontit, mund të dëgjoje thirrje në gjuhën ukrainase dhe ruse, ndoshta të përziera me zëra të gjuhëve rajonale si burjate dhe çeçene.
Sot, ushtarët në të dyja anët e konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindi, somalisht, serbisht dhe koreanisht. Gjuhët e huaja në llogore janë vetëm një nga shenjat se konflikti po merr përmasa gjithnjë e më ndërkombëtare, shkruan politico.
Në qiell, droni iranian Shahed mund të përplasë sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore, ndërsa në tokë artileria gjermane tejkalon predhat koreano-veriore.
Gati tre vite më vonë, është e vështirë ta quash këtë konflikt “rajonal” ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Ajo që në shkurt të vitit 2022 filloi si lufta më e madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, tani konkurron për titullin e konfliktit më global që nga Lufta e Ftohtë, me dhjetëra vende të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi.
Ky aspekt i konfliktit mund të përcaktojë rezultatin e tij, pasi Ukraina rrezikon të humbasë aleatin më të madh me ardhjen e Donald Trumpit në krye të SHBA-së, ndërsa Rusia tërheq mbështetjen e armiqve të Amerikës si Koreja e Veriut.
“Herën e fundit që pamë diçka të ngjashme ishte ndoshta sulmi sovjetik në Afganistan”, tha Sergey Radchenko, historian i njohur i Luftës së Ftohtë.
“Atëherë Perëndimi, së bashku me Pakistanin, mbështeste muxhahedinët dhe të gjithë u përfshinë”, deklaroi ai.
Të dyja palët varen nga ndihma e jashtme
Kur Moska nisi pushtimin, Kremlini e justifikoi atë si një veprim mbrojtës kundër NATO-s. Ekziston një konsensus i gjerë se presidenti rus, Vladimir Putin priste një konflikt të shkurtër, duke u mbështetur në pasivitetin e deritanishëm të Perëndimit ndaj veprimeve të tij në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Megjithatë, ukrainasit ofruan një rezistencë të papritur ndërsa Perëndimi reagoi shpejt, duke dërguar armë dhe të dhëna inteligjence që ndaluan përparimin rus dhe ndërkombëtarizuan konfliktin.
“Do të ishte një konflikt lokal nëse do të përfundonte shpejt”, tha Radchenko dhe shtoi se “por nuk ndodhi”.
Me kalimin e kohës, dimensioni ndërkombëtar u bë vendimtar. Sot, të dyja palët varen nga ndihma e jashtme: Ukraina për mbijetesë dhe Rusia për të ruajtur dominimin, duke u përpjekur të minimizojë ndikimet e luftës në popullsinë e saj. Ndërsa Ukraina pretendon se po lufton për “demokracinë,” Rusia e justifikon luftën e saj si një betejë kundër “hegjemonisë amerikane”-transmeton RTSH.
Rusia ka siguruar aleatë si Irani, që furnizon me dronë, dhe Koreja e Veriut, që dërgon raketa dhe ushtarë. Vendet e grupit BRICS, të pakënaqura me institucionet financiare perëndimore, shpesh tregojnë simpati ndaj Rusisë. Mbështetja kineze, që përfshin blerjen e naftës dhe teknologjisë ruse, është vendimtare për ekonominë ruse.
“India dhe të tjerët mund të tregtojnë me Rusinë, gjë që ka rëndësi. Por, asgjë nuk mund të krahasohet me atë që Kina sjell”, tha Aleksandër Gabujev, drejtori i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë.
Nga ana tjetër, Rusia përdor metoda hibride për të shkaktuar probleme dhe ndasi, duke përfshirë ndërhyrjen në zgjedhje dhe mbështetjen e grupeve pro-ruse si Huthit në Jemen. Por, ndryshe nga Lufta e Ftohtë, Moska nuk ka konflikte përmes ndërmjetësve ku mund të sulmojë drejtpërdrejt NATO-n.
Ndihma perëndimore dhe kufizimet
Ndihma perëndimore, e udhëhequr nga SHBA-ja dhe NATO-ja, i ka siguruar Ukrainës mbijetesën dhe rezistencën ushtarake.
Nga obuset fillestare deri te aeroplanët F-16 dhe raketat ATACMS, ndihma është rritur gradualisht. BE gjithashtu ka bërë përparime në proceset e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.
“Pa ndihmën perëndimore, lufta nuk do të kishte mbijetuar vitin e parë dhe do të kishte përfunduar me një humbje të rëndë për Ukrainën”, tha Alexander Gabuyev.
Megjithatë, Perëndimi ka ndjekur disa kufizime për të shmangur përshkallëzimin. Kërkesat e Ukrainës për sulme brenda territorit të Rusisë janë injoruar për një kohë të gjatë, ndërsa Moska, edhe pse kërcënon me sulme bërthamore, shmang përplasjet e drejtpërdrejta me NATO-n.
Nga ana tjetër, Rusia përdor aleatë si Koreja e Veriut për të siguruar burime dhe trupa, ndërsa Ukraina ofron stimuj financiarë dhe historikë për luftëtarët e huaj.
Sidoqoftë, ndërsa lufta hyn në vitin e katërt, asnjëra palë nuk merr gjithë ndihmën që dëshiron.
Ngrirja e konfliktit dhe ndikimi politik
Ideja e ngrirjes së konfliktit, që përfshin lëshime territoriale nga Ukraina, nuk është më një temë tabu dhe tani po shqyrtohet seriozisht.
“Ishte e qartë që në fillim se Amerika do të tërhiqej nëse Ukraina nuk do të fitonte mjaftueshëm shpejt”, tha Nina Khrushcheva, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në The New School në New York dhe stërmbesa e udhëheqësit sovjetik Nikita Khrushchev.
“Në fillim, gjithçka u pa si një seri holivudiane”, tha ajo.
Fillimisht, aleatët menduan se do të mbaronte pas një sezoni. Por, më pas erdhi i dyti, deklaroi Khruschcheva.
“Tani jemi në sezonin e tretë, dhe natyrisht vëmendja është zbehur”, shtoi ajo “nuk duam një sezon të katërt, por ai do të ndodhë”.
“Për Amerikën, shmangia e një lufte bërthamore me Rusinë ka qenë gjithmonë prioriteti numër një. I dyti ka qenë ndihma për Ukrainën që të fitojë. Këto dy objektiva duhet të harmonizohen disi”, tha Radchenko.
Fundi i luftës
Ndërsa konflikti hyn në vitin e katërt, asnjëra palë nuk po e merr gjithë ndihmën që po e dëshiron. Lufta gjithnjë e më shumë i ngjan një lufte konsumimi si ajo e Luftës së Parë Botërore, sesa një Lufte të Tretë Botërore me teknologji të lartë.
“Logjika do të diktonte që tani të shihnim mijëra iranianë dhe ushtri kompakte kineze që luftojnë për Rusinë në Ukrainë”, shkroi Alexander Dugin, mendimtar ultranacionalist rus që konsiderohet si një nga ideologët e luftës në Ukrainë.
“Është logjike që ata që janë kundër hegjemonisë perëndimore dhe në favor të një bote multipolare të mbështesin Rusinë me veprime. Dhe Rusia do t’i mbështesë ata në luftërat e tyre anti-imperialiste”, pohoi ai.
Ukraina është në një pozitë edhe më të vështirë. Dyshimet për thellësinë e mbështetjes perëndimore po rriten pikërisht në momentin kur ukrainasit hyjnë në një tjetër dimër, të dobësuar nga morali i ulët dhe mungesa e pothuajse gjithçkaje.
Sipas vlerësimeve të Pentagonit, vendi ka burime të mjaftueshme për edhe gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj përpara se të përballet me probleme serioze-shkruan Politico .
Të dyja palët po përdorin gjithnjë e më shumë luftëtarë të huaj, kryesisht nga vende të varfra. Krahas ushtarëve të siguruar nga Pheniani, Moska ka rekrutuar luftëtarë nga Kuba, India, Nepali, Siria, Serbia, Republika Qendrore Afrikane dhe Libia, duke premtuar paga të larta dhe shtetësinë ruse.
Nga ana tjetër, Ukraina, përveç stimujve financiarë, u ofron të huajve mundësinë për të qenë në “anën e duhur të historisë.”
“Bashkë e mposhtëm Hitlerin, do ta mposhtim edhe Putinin”, kishte shkruar ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në platformën X në vitin 2022.
Kjo ka çuar në një situatë ku, më shumë se tre dekada pas shpërbërjes së BRSS-së dhe të ashtuquajturit “fund i historisë,” kolumbianët po luftojnë kundër kubanezëve.
Fundi i konfliktit ka të ngjarë të varet nga vendimet e mbështetësve kryesorë. Nëse NATO tërheq mbështetjen, Ukraina nuk do të mbijetojë. Po ashtu, nëse Kina ndalon mbështetjen për Rusinë, Moska do të detyrohej të kufizojë oreksin e saj.
Për momentin, lufta vazhdon të formësojë politikën globale, ndërsa rreziku i përshkallëzimit mbetet i pranishëm.
Çdo pjesëmarrës i ri ose faktor i jashtëm, si një konflikt në Indo-Paqësor ose Lindjen e Mesme, mund të ndryshojë drejtimin e konfliktit. Derisa lufta të përfundojë, rreziku që aktorë të tjerë të përfshihen mbetet i madh.
/rtsh.al/