Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, e cila kalon në zonën e Shkozës.
Ministrja Balluku gjatë inspektimit të kantierit u shpreh se, po vijon puna për ndërtimin e urës, vepra më e rëndësishme në këtë lot, me një gjatësi prej 420 metrash. Në këtë lot realizimi fizik i punimeve ka arritur në 32%.
“Është një lot shumë kompleks, pasi këtu kemi ndërtimin e një ure rreth 420 metra për të ardhur në të njëjtin nivel me lotin 3. Ky ka qenë një nga segmentet më të vështira të Unazës së Madhe të Tiranës. Jemi në një zonë shumë të banuar, një zonë ku kemi pasur ndërtime ilegale të cilat na është dashur të bashkëpunojmë me qytetarët, që pavarësisht se këto prona janë të palegalizuara, t’u japim zgjidhje”, bëri të ditur Balluku.
Zv/kryeministrja vuri në dukje se punimet kanë hasur në vështirësi për shkak të gjeologjisë.
“Gjeologjia e Tiranës është gjeologji e vështirë, siç na ndodh dhe në pjesën e Murrizit. Ne kemi një afat kontraktual, është vera e vitit 2024, sot ndodhemi diku në 32% të ecurisë së punimeve, por nga momenti që trarët janë gati dhe janë të prodhuar me përfundimin e pilotave fillon vendosja e tyre. Kështu që ne jemi të angazhuar që të ruajmë kohët kontraktuale. Pra, vera e 2024, flasim për pak muaj, do të jetë gati edhe ky segment”, u shpreh ajo.
Balluku bëri të ditur se të gjitha kantieret e hapura po shkojnë sipas parashikimeve kontraktuale.
“Duhet thënë që ne asnjë nga kantieret nuk i kemi jashtë afatit. Është diçka që Autoriteti Rrugor Shqiptar është angazhuar dhe është duke e mbajtur ritmin, madje edhe ato projekte që janë trashëguar me vonesë tashmë pothuajse janë mbyllur. Duhen patur parasysh që të gjitha kontratat që janë lidhur vitet e fundit janë të gjitha në afatet e tyre, madje ne kemi arritur t’i mbyllim disa muaj më parë, ashtu siç shpresojmë me Llogoranë që ta dorëzojmë deri në 30 qershor dhe jo në shtator siç është kontrata. Ashtu siç shpresojmë edhe për këto lote të cilat pavarësisht kompleksitetit gjeologjik dhe pavarësisht problematikës që kemi pasur në zonat e banuara mund të themi që është bërë një punë e mirë, një punë konstante, që do të na japë mundësi që t’i dorëzojmë sipas afateve kontraktuale”, tha ajo.
Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi theksoi se brenda muajit dhjetor do të jenë ngritur 5 këmbë të urës.
“Në momentin që është liruar sheshi ndërtimit kemi arritur me ritme të shpejta nga 300 pilota që duhet të ndërtohen për bazamentet e urës së madhe kemi realizuar rreth 170 pilota. Janë betonuar 10 bazamente nga 15 që ka në total dhe ka filluar të ngrihet këmba e parë e urës. Brenda muajit dhjetor do të kemi gati 5 këmbë të ngritura në mënyrë të tillë që të vazhdojmë me mbështetjen e trarëve”, sqaroi drejtori ARRSH.
Projekti e trajton zonën edhe me elementët urbanë.
Përfundimi i plotë i Unazës së Madhe të Tiranës, një segment prej 27 kilometrash të gjatë, do të lidhë kryeqytetin me gjithë rrugët dalëse kombëtare.
/rtsh.al/