RTSH 24 Live

Kronika

Lirohen nga burgu 5 turqit që u kapën në Durrës me pasaporta false bullgare

10/02/2023

Lirohen nga burgu 5 turqit që u kapën në Durrës me pasaporta false bullgare

Gjykata e Durrësit, ka caktuar të premten masën “detyrim paraqitjeje” për 5 shtetas turq, të cilët u ndaluan pak ditë më parë nga policia shqiptare pasi me  pasaporta false bullgare synonin vajtjen në Britaninë e Madhe. “Jemi nga zona e tërmetit, Kahramanmarash, dhe nuk kemi asnjë njoftim për fatin e familjeve tona atje. Donim të shkonim në Itali. Erdhëm këtej para fatkeqësisë që goditi vendin tonë.” “Nuk kemi informacion për fatin e familjarëve nga tërmeti”, ishin deklaratat e tyre që duket se kanë ndikuar tek vendimi i gjykatës.

Seanca për caktimin e masës së sigurimit personal u zhvillua me dyer të mbyllura nga gjyqtari Vladimir Skënderi. 

Shtetasi britanik  Joshua Smith, ndaj të cilit gjykata vendosi garanci pasurore në vlerën e 2000 eurove për lirimin dhe hetimin në gjendje të lirë, mohoi në sallën e gjyqit të ketë marrë para nga turqit. Ai tha se me ata kishin miqësi. Edhe shtetasit turq Mehmet Komesogutlu, Mehmet Delice, Ali Atmaca, Hasan Karaoglan dhe Mehmet Hamurkesen, të moshës 19-31 vjeç deklaruan se janë ndihmuar miqësisht nga miku i tyre. Ata synonin të shkonin në Itali për të punuar e siguruar të ardhura më të mira për familjet e tyre. 

Gjashtë të huajt u arrestuan në portin detar të Durrësit gjatë një operacioni policor të koduar “Pasaporta”. 

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

 

/ rtsh.al /