Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar mbi vendimin e GJKKO-së për lirimin e kreut demokrat Sali Berisha. Ndërsa i ka përcjellë Berishës urimet e përzemërta, Meta deklaron se në këtë rast fitoi shteti i së drejtës.
Ai risjell edhe njëherë në vëmendje reagimin e bërë në 2021-shin, kur mbante pozicionin e Presidentit të vendit, në lidhje me shpalljen “non grata” të Berishës nga SHBA.
Sipas Metës, fletërrufeja ndaj Berishës u hartua nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizimin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës!
Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizimin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strazburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin "Berisha" si "leading case", pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare është një emergjencë kombëtare.
Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit, me urdhër të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Ndalimi i ish-presidentit u krye në afërsi të kthesës së Kamzës, teksa Meta po i drejtohej selisë së partisë, ku kishte njoftuar një konferencë shtypi.
Meta akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
/rtsh.al/