RTSH 24 Live

Politikë

Lirimi i Berishës, Noka: Drejtësia e Sorosit u ngut, se do e rrëzonte Strasburgu

5 orë para

Lirimi i Berishës, Noka: Drejtësia e Sorosit u ngut, se do e rrëzonte Strasburgu

"Është meritë e demokratëve, e qëndresës së tyre," u shpreh të enjten Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, pas lirimit nga arresti të kryeopozitarit Sali Berisha.

Z. Noka i akuzoi GJKKO-në dhe SPAK si institucione "të kapura" nga filantropi Xhorxh Soros. Ishin këto dy institucione që funddhjetorin e kaluar vendosën masën shtrënguese "arrest në shtëpi" për liderin e demokratëve, nisur nga akuzat e prokurorëve specialë kundër korrupsionit.

"Drejtësia nën kthetrat e Sorosit bëri gjithçka për ta likuiduar këtë forcë dhe liderin e saj. Sot lideri i partisë Demokratike dhe opozitës është i lirë falë qëndresës së demokratëve, falë rezistencës dhe përballjes, falë luftës dhe të vërtetës. E vërteta gjithmonë vonon, por kurrë nuk harron. Presioni i opozitës dhe gjithë qytetarëve të vendit e detyroi më në fund edhe narkodrejtësinë që t'i japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe liderin e saj," u shpreh z. Noka.

Deputeti demokrat shtoi se për PD-në, vendimi i fundit nuk ndryshon asgjë në qëndrimin denoncues të opozitës ndaj organeve të reja të drejtësisë.

Sipas tij, GJKKO-ja u detyrua të marrin vendimin prej verdiktit të pritshëm të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku z. Berisha kishte premtuar se do e apelonte masën ndaj tij.

"Drejtësia e Xhorxh Sorosit apo narkodrejtësia nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndresa, lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi këtë narkodrejtësi. Drejtësia e Sorosit apo narkodrejtësia e pa që Strasburgu po çelte dritën jeshile dhe do të rrëzonte të gjitha vendimet e narkodrejtësisë dhe u ngut në tentativën për të shpëtuar fytyrën e vet. Asgjë më shumë! Strasburgu do t'i çirrte maskën drejtësisë së Xhorxh Sorosit në Shqipëri," deklaroi z. Noka.

/rtsh.al/