Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën (21 tetor) me urdhër të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Ndalimi i ish-presidentit u krye në afërsi të kthesës së Kamzës, teksa Meta po i drejtohej selisë së partisë, ku kishte njoftuar një konferencë shtypi.
SPAK ka ngritur tri akuza ndaj Metës: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ-DIA.
Dosja për kompaninë që menaxhonte sistemin e shpërndarjes së energjisë u rihap në prill të vitit 2022, pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste për vjedhje të parave publike. Shitja e 75% të aksioneve të OSSH tek CEZ-DIA u cilësua abuzive dhe prishja e kësaj kontrate pretendohet se i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 milionë euro.
Për këtë çështje deri më tani është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të kompanisë çeke CEZ, të kontraktuar nga qeveria shqiptare.
Ilir Meta ka shërbyer si President i Shqipërisë nga 24 korriku 2017, përveçse Kryeministër nga vitit 1999 në 2002, ndërsa ka qenë gjithashtu edhe Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë nga 2013 në 2017.
Meta gjithashtu ka mbajtur disa poste të larta, si Zëvendëskryeministër, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Para kësaj.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) u themelua prej tij në vitin 2004.
/rtsh.al/