RTSH 24 Live

Aktualitet

Ligji i ri për Policinë e Shtetit, Balla: Në nivelin e policive të vendeve të BE!

26/07/2024

Ligji i ri për Policinë e Shtetit, Balla: Në nivelin e policive të vendeve të BE!

Ministri i Bredshëm, Taulant Balla, ka deklaruar se ligji i ri për policinë ka në fokus çka është vizioni i qeverisë për “Shqipërinë 2030”, Shqipëria në Bashkimin Evropian.

Duke folur në parlament të premten zoti Balla tha se “Vizioni ynë “Shqipëria 2030” është në fakt thelbi dhe synimi kryesor i këtij ligji”

“Nëse 10 vite më parë Shqipëria, ishte një ndër vendet me nivelin më të lartë të kriminalitetit, sot Shqipëria nuk është më as në dhjetë vendet me kriminalitetin më të lartë, por në vitin 2023 shënojmë një prej arritjeve të progresit më të dukshëm të Shqipërisë në këtë aspekt, duke lëvizur pozitivisht me 6 vende, duke lënë pas thuajse të gjitha vendet e rajonit tonë dhe përmirësim të dukshëm dhe në krahasim me vendet anëtarë të BE”, tha zoti Balla.

“Kemi patur mbi 10 milionë turistë gjatë vitit 2023 dhe është fakti i gjithëpranuar se asnjëri prej tyre, fatmirësisht, nuk ishte viktimë e një ngjarje kriminale, tha ministri.

Në rast se në vitin 2012, në Shqipëri kishim 125 jetë të humbura nga ngjarje kriminale, vrasje, në vitin 2023, Shqipëria regjistroi dhe shifrën më të ulët historike në 34 vitet e fundit, me një rënia pak më shumë se tre herë, 35 të tilla. Edhe një shifër shumë domethënëse, lidhet dhe me faktin se kjo qeveri ka investuar mjaftueshmërisht në sigurinë e rrugëve në Shqipëri, fakti është se edhe pse numri i mjeteve në përdorim i qytetarëve shqiptarë është dyfishuar nga viti 2013, deri në 2023, numri i jetëve të humbura në incidentet rrugore është përgjysmuar”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Për vitin 2024, ministri tha se pret që në rrugët e vendit të udhëtojnë rreth 4.5 milionë mjete, por është optimist për trendin rënës të ngjarjeve rrugore, falë politikave të sigurisë të ndarmarra nga qeveria.

“Numri i mjeteve të vizitorëve të huaj është shumëfishuar. 2.85 milionë mjete në pronësi të mjeteve të huaja, në 2024 presim që të kemi një shifër 3.5 milionë mjete në pronësi të shtetasve të huaj, pra me targa të huaja që vijnë në Shqipëri. Shtuar këtu dhe gati 950 mijë mjete me targa të Shqipërisë, i bie diku tek 4.5 milionë mjete që do të lëvizin në rrugët e Shqipërisë. Trendi vijon të jetë në zvogëlim për sa i takon incidenteve rrugore me pasojë humbjen e jetës”, tha ministri i Brendshëm.

Zoti Balla tha se parandalimi është një tjetër fokus i Policisë së Shtetit. “Në vitin e fundit janë 163 ngjarje kriminale të parandaluar në kohë nga Policia e Shtetit”.

Ai shtoi se ligji i ri synon ta çojë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër, që i shkon përshtat synimit të madh, që është Shqipëria pjesë e Bashkimit Europian brenda vitit 2030. 

“Synojmë kalimin e Policisë së Shtetit në një nivel tjetër. Gjithçka është arritur deri më tani është mirë, por nuk është ajo çka do të donim të kishim, Shqipëria vend anëtar i BE me Policinë e Shtetit të një vendi anëtar të BE. Duam ti japim Policisë së Shtetit mundësinë për më shumë energjizim, për më shumë karrierë të bazuar në meritokraci dhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj fenomeneve të tjera kriminale, ku fokusi mbetet tek lufta ndaj lëndëve narkotike, prodhimi, trafikimi, shpërndarja e lëndëve narkotike, si një kancer që për fatin e keq prek rininë dhe jo vetëm. Pa harruar këtu dhe format e ndryshme të trafikimit, përfshirë dhe atë të qenieve njerëzore”, tha Balla.

Projektligji i sjellë nga qeveria ka patur disa amendamente nga deputetët të mazhorancës apo opozitës, për të cilat ministri Balla u shpreh pozitivisht për pranimin e tyre.


/ rtsh.al /