RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Lideri i Iranit kërcënon Izraelin dhe SHBA se do t'i "dërrmojë" nëse e sulmojnë

02/11/2024

Lideri i Iranit kërcënon Izraelin dhe SHBA se do t'i "dërrmojë" nëse e sulmojnë

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, paralajmëroi të shtunën Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos e çojnë deri në fund planin Tel-Avivit për të sulmuar Iranin apo aleatët e tij.

Udhëheqësi 85-vjeçar foli para studentëve në prag të përvjetorit të goditjes së ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979. Deklarata u bë në përgjigje të kërcënimit nga Izraeli se mund të marrë hak nëse goditet sërish pas sulmit me 200 raketa të 1 tetorit nga ushtria iraniane.

Sulmi pati si objektiv bazat ushtarake të vendit, por edhe vende të tjera. Të paktën pesë persona raportohet se humbën jetën. Izraeli u përgjigj më 26 tetor me lëshimin e predhave të veta në bazat ushtarake brenda Iranit.

Vijimi i sulmeve dypalëshe mendohet se do e fuste më në rrezik stabilitetin në Lindjen e Mesme. Gjendja është përkeqësuar nga konflikti i Izraelit me Hamasin në Gazë dhe së fundmi nga shkëmbimet e zjarreve me Libanin.

"Armiqtë, qoftë regjimi sionist apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa dyshim do të marrin një përgjigje dërrmuese për atë që po bëjnë ndaj Iranit dhe ndaj kombit iranian, dhe ndaj frontit të rezistencës," u shpreh Kamenei në një video të publikuar nga media shtetërore.

Izraeli po ashtu ka kërcënuar Iranin të mos hakmerret, ndërsa Teherani, duke shprehur se është kundër luftës, ka premtuar se do të përgjigjet.

Nëse Irani bën gabimin dhe lëshon një tjetër bateri raketash ndaj Izraelit, ne sërish do e dimë se si të mbërrijmë te Irani… dhe për ta goditur shumë, shumë fort,” tha këtë javë shefi ushtarak i Izraelit, lejtnant-gjeneral Herzi Halevi. /AJ

/rtsh.al/