Kuvendi miratoi të martën me 75 vota pro dhe 24 kundër, projektbuxhetin për vitin 2025, i cili konsiderohet 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, duke planifikuar 822,7 miliardë lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave arrin në 754,6 miliardë lekë.
Buxheti i ndarë sipas ministrive
Ministria e Shëndetësisë, me pjesën më të madhe të buxhetit. Ajo do të ketë 80.7 miliardë lekë në dispozicion për të mbuluar të gjitha nevojat në çdo hallkë të sistemit shëndetësor, duke përfshirë nga pagat, deri në rikonstruksionin e qendrave shëndetësore.
Ministria e Infrastrukturës, për vitin e ardhshëm do të ketë 74 miliardë lekë, ku 33.4 miliardë lekë do shpenzohen për transportin rrugor, ndërsa projektet kryesore janë Rruga e Arbrit, rruga Milot-Morinë dhe ajo Orikum Dukat. Lista e projekteve vijon më pas me ndërtimin e rrugës Elbasan-Lekaj, ByPass i Elbasanit, zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës dhe projekti i rrugës Berat-Ballaban.
Arsimi do të marrë 62 miliardë lekë për vitin 2025, me rritje prej 9.4 miliardë lekë krahasuar me vitin aktual, me fokus reduktimin e klasave kolektive, rritjen e cilësisë në arsim, librat falas apo transport të mësuesve dhe nxënësve.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të ketë një buxhet 56 miliardë lekë, me vëmendje tek skema e sigurimeve shoqërore, por edhe tek projektet e reja në fushën e kulturës.
Kurse ministria e Mbrojtjes, me synim për fuqizimin e Forcave të Armatosura, ri ngritja e industrisë ushtarake dhe plotësimi i kërkesave si vend anëtar i NATO-s do të marrë 52.6 miliardë lekë me rritje prej 4 miliardë lekë krahasuar me këtë vit.
Ministria e Brendshme do të ketë 31 miliardë lekë, që do shpenzohen për ristrukturim komisariatesh në disa qytete, për projektin “Smart City”, për instalimin e kamerave për policinë, për kompensimin ushqimor të policisë apo për përmirësimin e infrastrukturës hardëare dhe software të Regjistrit Kombëtar.
Institucionet e drejtësisë morën 797.4 milionë lekë më shumë se planifikimet fillestare. Rritjen më të madhe e mori KLGJ me 500 milionë lekë, nga 5.6 miliardë lekë i parashikuar buxheti ju rrit në 6.1 miliardë lekë.
Debatet në Kuvend
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paraqiti 32 amendamente në buxhet gjatë seancës së sotme, të cilat u rrëzuan nga shumica.
“Shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që meritojnë dhe atë që i është premtuar prej 12 vitesh. Refuzimi me votë i amendamenteve të grupit parlamentar i PD për rritjen e pensioneve dhe parashikimin në ligj të bonusit të fund-vitit 2025, tregon edhe njëherë që shumica socialiste punon për mirëqenien e vet dhe jo për mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh kreu i grupit parlamentar, të PD-së, Gazment Bardhi.
Për ministrin e Financave, Petrit Malaj, opozita nuk i ka të mbështetura financiarisht propozimet për amendamente në buxhet dhe nëse do të miratoheshin ato, borxhi publik do të shkonte në nivelin mbi 73.7 %, ndërsa deficiti buxhetor 20 %.
“Janë shqyrtuar amendamentet e opozitës për projektbuxhetin e opozitës. Kemi bërë një përllogaritje të përafërt, duke përfshirë edhe minimumin prej 200 mijë lekësh dhe nevojiten 4-5 miliardë euro. Ajo që kërkoni ju është në fakt një buxhet i dytë“, tha Malaj.
Sipas tij, nga 5 miliardë euro amendamente opozita, vetëm 6% mbulon me propozimet e saj.
“Me pak fjalë ajo që propozoni ju, është një buxhet piramidal. Kjo qeveri nuk është qeveri piramidash, por qeveria që garanton rritje të qëndrueshme ekonomike, me shumë mbrojtje sociale, më shumë investime publike dhe një qeveri që garanton më pak borxh për brezat e ardhshëm”, tha ai.
Objektivat e buxhetit
Buxheti për vitin 2025 synon të përmbushë dy objektiva themelorë, rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskal në nivele pozitive.
Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët parësorë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë.
Financimi i investimeve publike të programuara do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë ose 6.2% e PBB-së, duke mbështetur e zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë, infrastrukturën.
Po ashtu, materializohen objektivat kryesorë të politikës fiskale, siç është një balancë primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.
Për vitin e ardhshëm Qeveria synon një nivel borxhi prej 55.8 % të PBB-së, nga 56.3 % që pritet të arrijë deri në fund të vitit 2024.
Gjithashtu sigurimi i një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, mbetet një prioritet i saj. Buxheti parashikon fondet për indeksim dhe bonusin e pensionistëve, ndërsa nuk parashikon rritje pagash.
/rtsh.al/