RTSH 24 Live

Aktualitet

Kumbaro ultimatum prefektëve: Tolerancë zero për struktura betoni në plazhe

19/04/2024

Kumbaro ultimatum prefektëve: Tolerancë zero për struktura betoni në plazhe

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro i ka dhënë ultimatum prefektëve që të mos tolerojnë asnjë strukturë betoni në plazhe që do të ngrihen gjatë sezonit veror. 

Gjatë mbledhjes me prefektët e 12 qarqeve të vendit, ministrja Kumbaro tha se ka përfunduar procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve dhe gjithashtu ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit vendimi për miratimin e ndërtimit të strukturave të përkohshme të shërbimit ose ato që quhen ndryshe beach-bare.

“Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret. IKMT do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton. Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Kumbaro kërkoi nga prefektët që të bënin krehjen e territoreve tani në mënyrë që atje ku ka paligjshmëri të ndërhyhet përpara se të shtohet fluksi turistik në zonat bregdetare. Kumbaro paralajmëroi edhe operatorë turistikë detarë, të cilët nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nëse nuk janë të pajisur me certifikatë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Asnjë operator që nuk është i pajisur me certifikatën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk do të lejohet të kryejë këtë aktivitet. Policia e shtetit në bashkëpunim me flotën e dedikuar të policisë kufitare do të jetë në territor gjatë gjithë kohës për t’i kontrolluar”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndër të tjera, Kumbaro vuri në dukje se lufta më e madhe këtë vit do të jetë me pastërtinë dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkive. Për sa i përket bashkisë Himarë, Sarandë, Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, bashkia Durrës dhe bashkia Shkodër, këtë vit do të jenë pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra” ku nga data 15 qershor deri në datën 15 shtator, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të dublojë, do të dyfishojë kapacitetin e pastrimit me një operator suplementar”, vijoji ministrja Kumbaro duke theksuar se çelësi i sukesit në këtë proces është koordinimi dhe bashkëpunimi.

Porosi e veçantë e ministres Kumbaro në këtë takim me prefektët ishin edhe tabelat orientuese në hyrjet dhe rrugët e qytetit si dhe përmirësimi i sistemit të informacionit digjital që u lehtëson aksesin dhe komunikimin vizitorëve të huaj. Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit preku problematikën e incidenteve që ndodhin kryesisht në zonat malore të vendit, duke kërkuar nga përfaqësuesit në takim që të shpërndajnë informacionin mbi guidat lokale të certifikuara që ofrojnë shërbimin e tyre në terren.

/rtsh.al/