RTSH 24 Live

Ekonomi

Ku humbasim me tregtinë me jashtë, tarifat preferenciale me BE dhe Turqinë dhe kursi i këmbimit

12/06/2022

Ku humbasim me tregtinë me jashtë, tarifat preferenciale me BE dhe Turqinë dhe kursi i këmbimit

Në kushtet kur tregjet kanë një dinamikë çmimesh që ndryshon me orë dhe jo me ditë, tarifat preferenciale të tregtisë janë një mundësi për të ulur kostot e produkteve. Kjo do të thotë që në çmimin e një produkti mungon tarifa doganore sepse taksa është zero

Televizioni Shqiptar ka marrë këto ditë informacionin zyrtar të Shërbimit Doganor Shqiptar për të parë se cilat janë përfitimet e Shqipërisë nga një shkëmbim mallrash me tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.

Për të parë nëse një produkt përfiton tarifa preferenciale apo përfiton nga kuotat tarifore, i referoheni Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë ndërmjet Komunitetit Europian e Shteteve të tij anëtare dhe Republikës së Shqipërisë.

Kështu nga 1 Dhjetor 2006, Shqipëria mundet që produktet industriale t’i përfitojë me tarifa doganore preferenciale 0%. Ndryshon puna për produktet bujqësore, ku palët i kanë akorduar reciprokisht njëra tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore (CEFTA), filloi të zbatohet gjatë vitit 2007 ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë dhe mundëson përfitimin e Tarifave Doganore Preferenciale 0% për të gjitha produktet e Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave. E njëjta është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë, që mundëson liberalizimi i të gjitha produkteve industriale , por jo bujqësore me origjinë shqiptare dhe turke.

Po a kemi përfituar nga këto marrëveshje?

Shërbimi doganor shqiptar thotë se nga BE mund të merrnin 790 ton qumësht me taksë doganore zero, po kemi marrë zero ton. 10 mijë hektar litra verë nga rrush i freskët me zero tarifë po ashtu nuk janë marrë nga BE. Por edhe 60 ton ketchap dhe salca të tjera të domates nuk janë marrë, duke humbur tarifën zero në doganë. Autoritetet nuk kanë ndonjë shpjegim për këto produkte, të paktën deri në datën 5 qershor të këtij viti kur ne kemi parë tabelën zyrtare.

Një pamje tjetër shfaqet më marrëveshjen pa tarifa me Turqinë. Kemi ezauruar djathin, mjaltin, perimet, përzierje perimesh, qiqra, thjerrëza, arra, gështenjat, rrushin, pjeprat, mollët, qershitë, pjeshkët, luleshtrydhet etj madje edhe kastravecët e çokollatat në sasi nga 1 deri 200 tonë për çdo produkt. Dhe të gjitha kanë tarifa preferenciale apo zero në dogana.

Le ta bëjmë një analizë që na sjell tek çmimi në treg: Lira turke ka një tatëpjetë në 4 muajt e fundit dhe aktualisht shkëmbehet me rreth 6,6 lekë për një lirë turke. Euro këmbehet në nivelin më të ulët historik, nën 120 lekë për një euro. Ja grafikët që tregojnë tendencën e këtyre valutave në janar – qershor 2022.

Shërbimi doganor shqiptar nuk bën të njohura çmimet e zhdoganimit të produkteve në doganë për kompanitë që importojnë këto produkte në BE, Turqi apo në CEFTA-n rajonale. Një vështrim i shpejtë të bën të analizosh se fitimet që kanë siguruar kompanitë shqiptare të importeve kanë përfituar nga dy burime: nga tarifat preferenciale që ofron BE dhe Turqia apo CEFTA dhe kursi i këmbimit të valutave me monedhën shqiptare. Në treg nuk duken shenja të uljes së çmimeve, ndërsa inflacioni po bëhet dyshifror.

Edhe një shqetësim tjetër: Mollët, kastravecët, luleshtrydhet, kajsitë, rrushi, pjeprat e shalqinjtë po kalben dhe po hidhen në anë të rrugës, por nga Turqia janë importuar, deri në 5 qershor 400 tonë mollë, 185 tonë shalqi, 200 ton luleshtrydhe, 100 ton pjeshkë, 200 ton qershi vetëm nga Turqia?

A duhen politika të mbrojtjes së prodhimit vendas në sezone të caktuara për të mos dëmtuar prodhimin vendas?

/rtsh/