RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Kryeministri Netanyahu i kërkon OKB-së që të evakuojë paqeruajtësit nga zonat luftarake në Liban

13/10/2024

Kryeministri Netanyahu i kërkon OKB-së që të evakuojë paqeruajtësit nga zonat luftarake në Liban

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i bëri thirrje OKB-së të tërheqë menjëherë paqeruajtësit nga bastionet e Hezbollahut, ndërsa luftimet me militantët po intensifikohen. Deklarata e zotit Netanyahu vjen pas dy incidentesh brenda 48 orësh që rezultuan me plagosjen e disa paqeruajtësve nga sulmet izraelite. Ushtria izraelite publikoi ndërkohë të dielën një video ku shfaqej një tunel i Hezbollahut, pajisur me armatime dhe furnizime për një periudhë të gjatë.

Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite, në Libanin jugor u "zbulua një kompleks nëntokësor në një thellësi prej rreth 7 metrash dhe një hapësirë rreth 50 metra, ku strehohej një terrorist i Hezbollahut së bashku me armatime dhe pajisje për një qëndrim afatgjatë.

Organizata Hezbollah ka një rrjet të gjerë tunelesh në Libanin jugor, të cilat u shtuan pas luftës së vitit 2006. Izraeli vlerëson se tunelet shtrihen për disa qindra kilometra.

Ndërkohë Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i bëri thirrje OKB-së të dielën të evakuojë paqeruajtësit nga zonat e luftimeve në Liban.

“Ne nuk po luftojmë popullin libanez. Ne po luftojmë degën e terrorit iranian, Hezbollahun, që ka marrë Libanin nën kontroll. Dua t'i drejtohem Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtpërdrejt: Është koha që t’i largoni paqeruajtësit nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimit. Ushtria izraelite e ka kërkuar vazhdimisht një gjë të tillë dhe është refuzuar vazhdimisht, ndërsa u është siguruar kështu terroristëve të Hezbollahut një barrierë mbrojtëse njerëzore. Refuzimi juaj për të evakuuar paqeruajtësit i bën ata pengje në duart e Hezbollahut. Kjo i rrezikon ata vetë dhe ushtarët tanë”, tha Kryeministri Netanyahu.

Ushtria izraelite konfirmoi se dy paqeruajtës të OKB-së u plagosën nga një sulm izraelit pranë kullës së tyre të vrojtimit në Libanin jugor të premten, ndërsa shpërthimet tronditën bazën kryesore të paqeruajtësve në këtë zonë, për herë të dytë brenda 48 orëve, ndërsa forcat izraelite luftonin me militantët e Hezbollahut.

Ushtria izraelite tha se paqeruajtësit ishin paralajmëruar disa orë më parë për t'u futur në vendstrehime. Kombet e Bashkuara thanë se dy paqeruajtësit e plagosur janë nga Sri Lanka.

Në kryeqytetin libanez Bejrut, rrugët dikur plot gjallëri janë tashmë përgjithësisht të heshtura gjatë fundjavës.

“Përpara se të vija këtu, u luta dhjetë herë... Vazhdojmë të dalim, por kemi frikë se mund të ndodhë diçka... Sidoqoftë nuk e kemi ne situatën në dorë. Është sigurisht e frikshme, por asnjë prej nesh nuk ka gjë në dorë”, thotë Lia Azzam, banore 20-vjeçare e Bejrutit.

Edhe shoqja e saj, Zeina Bourji thotë se kanë nevojë për një “ndryshim të atmosferës” pas frikës që përjetojnë se çfarë mund t’iu ndodhë në shtëpi.

Megjithëse njerëzit vazhdojnë të shkojnë në restorante në zonat që mendohet se janë të sigurta, punonjësit thonë se numri i klientëve ka rënë ndjeshëm.

“Rruga është pothuajse krejtësisht e mbyllur. Një pjesë e restoranteve mundohen të qëndrojnë hapur, për vetëm gjysmën e ditës, thjesht që të mos mbyllen. Nuk vjen asnjë klient”, thotë Bassami, punonjës në një bar-restorant.

Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut është intensifikuar gjatë javëve të fundit, ndërsa Izraeli ka bërë sulme ajrore në Libanin jugor, në rrethinat jugore të Bejrutit dhe në Luginën Bekaa. Nga sulmet janë vrarë tashmë pjesa më e madhe e drejtuesve të Hezbollahut dhe njësitë e ushtrisë izraelite kanë hyrë për të luftuar brenda territorit libanez.

Libani dënon thirrjen për largimin e paqeruajtësve

Kryeministri libanez, Najib Mikati ka dënuar thirrjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të hequr paqeruajtësit e OKB-së nga kufiri. Netanyahu i bëri kërkesat më herët të dielën, duke shtuar se kjo duhet bërë "menjëherë".

Mikati e përshkroi thirrjen si një “kapitull të ri në qasjen e armikut në mospërputhje me normat ndërkombëtare”.

Përleshjet midis Hezbollahut dhe forcave izraelite janë intensifikuar ditët e fundit me një numër paqeruajtëssh të OKB-së të plagosur. Rreth 40 vende kanë dënuar ashpër sulmet ndaj paqeruajtësve në Liban. Reuters

/rtsh.al/