Kryeministri britanik, Keir Starmer tha të hënën se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ishte "një udhëheqës lufte", të cilin të gjithë duhet ta mbështesin.
“Rusia është agresori. Zelensky është një udhëheqës lufte, vendi i të cilit është pushtuar. Dhe ne të gjithë duhet ta mbështesim atë dhe jo ta rëndojmë për Putinin”, tha Starmer gjatë një debati parlamentar në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai po i përgjigjej një pyetjeje nga Nigel Farage, deputeti i krahut të djathtë i parlamentit, i cili është aleat i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump.
Ndërsa Starmer nuk e kritikoi drejtpërdrejt Trumpin për trajtimin e tij ndaj Zelenskit gjatë vizitës së liderit ukrainas në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, ai vazhdimisht paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhej besuar.
“Ne e dimë se (Putini) nuk është një njeri që mban fjalën e tij,” tha kryeministri, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse garancitë e sigurisë do të duhej të ishin pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje.
“Ne duhet të jemi vigjilentë në të gjitha frontet në lidhje me Putinin”, shtoi ai.
Çfarë thotë Ukraina
Rusia ka përdorur marrëveshjet e armëpushimit në të kaluarën për të "përparuar qëllimet e saj të luftës", paralajmëroi të hënën zëvendëskryeministri i parë i Ukrainës, duke akuzuar Kremlinin për një model "mashtrimi, premtimesh të rreme dhe përshkallëzimi".
"Një nga më shumë se 25 herët që Rusia përdori thjesht 'armëpushimin' si një mjet për të çuar përpara qëllimet e saj të luftës, ishte më 9 dhjetor 2019, kur Ukraina, Franca, Gjermania dhe Rusia u takuan dhe ranë dakord në Paris," postoi Yulia Svyrydenko në X. "Moska nënshkroi marrëveshjen - vetëm për ta thyer atë menjëherë."
Më herët sot, Trump tha se SHBA “nuk do të durojë” rezistencën e perceptuar nga udhëheqësi i Ukrainës, i cili tha se fundi i luftës është “shumë, shumë larg”.
/rtsh.al/