Zhvillimet rreth Ukrainës dhe SHBA-së po përshpejtojnë negociatat në Gjermani për formimin një qeverie të re midis kristian-demokratëve të Unionit CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).
"Sipas mendimit tim është domosdoshmëri për të vepruar tani," tha kryetari i CDU-së dhe kancelari i mundshëm gjerman, Friedrich Merz, pas takimit me lidershipin e CDU/CSU-së.
Ai tha se deri në samitin urgjent të së enjtes nga Bashkimi Evropian, ku temë do të jetë Ukraina, qëllimi i bisedimeve midis CDU/CSU-së dhe SPD-së është arritja e një marrëveshjeje për financimin e projekteve të ardhshme, veçanërisht të ndihmës për Ukrainën.
Z. Merz komentoi gjithashtu përplasjen në Shtëpisë e Bardhë ndërmjet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump.
"E kam shqyrtuar disa herë videon e atij takimi. Sipas mendimit tim, nuk bëhet fjalë për një reagim spontan ndaj deklaratave të Zelensky, por për një përshkallëzim të planifikuar," tha z. Merz.
Ai shprehu njëkohësisht mendimin se duhet bërë gjithçka për të mbajtur ushtarët amerikanë në Evropë.
Z. Merz tha se kur të zgjidhet kancelar do të planifikojë një udhëtim në SHBA.
Nënkryetari i SPD-së dhe lideri socialdemokrat në negociata, Lars Klingbeil, shprehu gatishmërinë për bisedime të përshpejtuara për një koalicion me kristian-demokratët.
"Ne jemi gati të arrijmë një marrëveshje këtë javë. Tani gjithçka qëndron në bisedimet e mëtejshme," tha z. Klingbeil. /AJ
/rtsh.al/