RTSH 24 Live

Europë

Tensionet vlojnë, Macron telefonon presidentët Trump dhe Zelensky pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë

01/03/2025

Tensionet vlojnë, Macron telefonon presidentët Trump dhe Zelensky pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë

Emmanuel Macron pati sot biseda telefonike me një sërë liderësh, duke përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump, njoftoi presidenca franceze, një ditë pasi presidentët amerikanë dhe ukrainas u përplasën në Shtëpinë e Bardhë.

Macron kontaktoi gjithashtu kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

Detaje rreth përmbajtjes së bisedimeve nuk u njoftuan, por është e qartë se liderët evropianë duan të mbajnë gjallë perspektivën e bisedimeve të paqes, duke i dhënë gjithashtu shtysë diskutimeve për garancitë e sigurisë në Ukrainë.

Diskutimet ishin pjesë e përgatitjeve për samitin e aleatëve evropianë të Kievit që do të mbahet nesër, të dielën, në Londër, si dhe samitin e jashtëzakonshëm të BE-së më 6 mars, sipas Elysee.

Më pas, në një intervistë për gazetën franceze, “La Tribune Dimanche”, Macron tha se takimi mes dy presidentëve shkoi keq, por megjithatë, nuk beson se ky moment është sinjal i një armiqësie.

“Mendoj se, pasi të kalojë nervozizmi, të gjithë duhet t’i rikthehen qetësisë, respektit dhe njohjes së ndërsjellë, në mënyrë që të mund të ecet përpara konkretisht, sepse çështja në fjalë është tepër e rëndësishme,” tha Macron.

/rtsh.al/