Ndërsa na ndajnë më pak se 2 muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi vijon premtimet elektorale. Kryemadhi ka theksuar se do të mbështesë energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak.
“Shqiptarët jetojnë në një vend të bukur dhe të bekuar nga Zoti, me malet fisnike, me fushat, detin e ajrin si askush tjetër. Por keqshfrytëzimi dhe papërgjegjshmëria e kanë ndotur mjedisin duke e bërë shpesh të rrezikshëm për jetën e njerëzve dhe një mundësi të munguar për turizmin. Ne do të mbrojmë dhe kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja e nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm. Ne do të mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak”, tha Kryemadhi.
Në vazhdën e premtimeve ajo thekson se do reformojmë standartet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, si dhe do të ulë koston e karburantit me rreth 20%, duke hequr taksën e qarkullimit.
“Do të reformojmë standartet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, që t’i bëjmë ndërtesat më të sigurta dhe më pak të kushtueshme për shqiptarët. Do të vendosim një kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve dhe do të realizojmë një ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit. Ne e mbajmë fjalën”, shtoi ajo.