RTSH 24 Live

Botë

Kryediplomatja gjermane paralajmëroi liderët e rinj në Damask: BE nuk financon islamizimin e Sirisë

04/01/2025

Kryediplomatja gjermane paralajmëroi liderët e rinj në Damask: BE nuk financon islamizimin e Sirisë

Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër lëvizjet politike në Siri dhe do ta mbështesë këtë shtet nëse synon paqen në të ardhmen, por nuk do të përkrahë islamizimin e Sirisë. Kështu  u shpreh ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjatë vizitës në Damask.

Së bashku me homologun francez, Jean-Noël Barrot, ajo udhëtoi në Siri, në emër të Bashkimit Evropian  për t’u njohur nga afër me situatën e vendit. “Bashkimi Evropian po pret që të shohë se çfarë do të ndodhë në Siri, pasi ky vend vuajti prej disa vitesh regjimin e presidentit Bashar al-Assad, që u rrëzua nga pushteti muajin e kaluar”, u shpreh kryediplomatja gjermane. “Evropa do të mbështesë Sirinë në tranzicionin e saj, por nuk do të jetë financuese e islamizimit të shoqërisë siriane”, theksoi ajo.

Ministrja gjermane shtoi se sipas saj shoqëria në Siri është e përçarë. “Në njërën anë ka shpresë për liri pas aq shumë vitesh luftë civile dhe torturash dhe në anën tjetër, shumë njerëz janë të shqetësuar për gratë dhe minoritetet etnike”, u shpreh Baerbok.

Sipas saj, lideri i ri sirian pranoi se e kupton situatën e re, ndaj synon të adresojë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe respektimin e të drejtave të pakicave etnike. Baerbok dhe Barrot u takuan me liderin de facto të Sirisë, Ahmed al-Sharaa në pallatin presidencial në Damask, gjatë vizitës së tyre të parë në atë vend, që kur autoritetet e reja islamike të vendit morën pushtetin muajin e kaluar.

/rtsh.al/