Presidenti i vendit Bajram Begaj është takuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Eskobar.
Begaj është takuar me Eskobarin gjatë qëndrimit në Nju-Jork ku kryeson delegacionin zyrtar të Shqipërisë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Begaj ka shprehur “vendosmërinë e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e partneritetit strategjik me SHBA dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik dhe lidhjet e forta midis dy vendeve”
“Situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si edhe proceset integruese të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin e Presidentit Begaj me zyrtarin e lartë amerikan. Ai i përcolli falënderimet për dedikimin e Presidentit Biden dhe administratës së SHBA për angazhimin e tyre të vazhdueshëmm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në këtë takim është evidentuar edhe kriza e veriut të Kosovës, ku sipas Begajt dhe Eskobarit është e nevojshme ulja e tensioneve “në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve”.
Nga ana e tij, Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
/rtsh.al/