Këshilli Bashkiak në Vlorë ka miratuar unanimisht sistemin e pikëzimit për kriteret që duhet të përmbushin përfituesit, të cilët do të aplikojnë për kredi të butë.
Ky projekt synon të ndihmojë familjet, që kërkojnë të përfitojnë banesë nëpërmjet mbështetjes lokale.
Nënkryetarja e bashkisë, Irena Toshkallari, shpjegon se në këtë fazë, kuota e përfituesve është për mbi 65 familje. Në një tjetër fazë do të aplikohet për përfitimin e apartamenteve të ndërtuara në zonën e ish-Frigoriferit.
"Familjet e reja kanë prioritet në këtë program të ri dhe njëkohësisht familjet që kanë më shumë sesa katër fëmijë. Skema është e ndarë në katër seksione të ndryshme: seksioni i parë për kushtet familjare; kushtet sociale, si personat me aftësi ndryshe, komuniteti rom dhe egjiptian... pra janë të renditura cilësitë që duhet të kenë individët për të pasur më shumë prioritet krahasuar me kandidatët e tjerë," u shpreh nënkryetarja Toshkallari.
Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi edhe vlerën financiare për dëmshpërblimin e familjeve që u përmbytën më 4 tetor. 56 milionë lekë do të ndahen për 354 familje.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan të përfshihen edhe bizneset në këtë dëmshpërblim, mirëpo në shpjegimin e Zyrës së Emergjencave saktësohet se për dhënien e ndihmës monetare për biznesin do duhej shpallur gjendja e emergjencës, që nuk ka ndodhur.
Biznesi i prekur nga përmbytjet është përfshirë nga disa lehtësira taksash, tatimore e doganore.
/rtsh.al/