RTSH 24 Live

Muzikë

Krijimtaria e kompozitorit dhe pianistit të famshëm italian interpretohet në Tiranë

30/10/2021

Krijimtaria e kompozitorit dhe pianistit të famshëm italian interpretohet në Tiranë

Mbrëmjen e së premtes, 29.10.2021, në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë, Johan dhe Ami MUKA ishin protagonistët e eventit artistik FQINJËT, Edicioni i Tretë.
Koncerti i organizuar nga ABC Tirana Club dhe mbështetur nga Bashkia e Tiranës iu dedikua krijimtarisë së kompozitorit dhe pianistit italian me famë botërore, Ludovico EINAUDI. 
Udhëheqëse artistike ishte Vjollca STAMO.

Qëllimi i projektit studentor “FQINJËT” është për forcimin e urave të komunikimit dhe shkëmbimit kulturor; për promovimin e vlerave më të mira klasike dhe bashkëkohore;si dhe në favor të edukimit muzikor, veçanërisht mes nxënësve dhe studentëve.

Ludovico Einaudi është një artistit prominent nga Italia fqinje, partiturat e të cilit janë interpretuar në skena anëmbanë botës. Pjesët pianistike të luajtura në mënyrë virtuoze prej Einaudit transmetohen dhe ritransmetohen nga media tradicionale dhe platforma dixhitale për miliona ndjekës.

Pianisti dhe kompozitori Ludovico Einaudi lindi në Torino më 23 nëntor 1955. Impulset e para për muzikën dhe veçanërisht për pianon ai i mori nga nëna dhe familja e saj. Studimet i nisi në Konservatorin e Torinos, por diplomën për kompozicion e fitoi në Konservatorin e Milanos.  Kritika muzikore i përshkruan veprat e tij si “një aliazh ndjesor, ku rrjedhin të alternuara meditimi, imagjinata, trazimi, brishtësia, thellësia e shpërthimi– si në një matricë muzikore që tërheq dhe përhumb ata që e ndjekin”.

Gjatë koncertit pianistik, artdashësit patën rast të ndjekin përmes interpretimit të Johan Muka dhe Ami Muka, motër vëlla, ndër pjesët më të mira të Einaudit, si “Elegy for the Artic”, “I giorni”,
“Tu sei”, “Night”, “Monday”, “Life”, “Experience”, “Birdsong” etj. Eventi i organizuar nga ABC Tirana Club u mbështet nga Bashkia e Tiranës.